Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 12:31

Shkup – Numri i shqiptarëve në polici nuk është 300, ashtu siç nuk është as edhe numri i oficerëve dhe nënoficerë shqiptarë 2000 në Armatën e Republikës së Maqedonisë (ARM). Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe ARM, zyrtarisht kanë demantuar kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i cili gjatë takimit parazgjedhor me banorët e Zhelinës u lavdërua se partia e tij ka rritur numrin e shqiptarëve në polici dhe ARM.

“Nuk mund të mos thuhet që nuk është avancuar dhe ndryshuar statusi politik dhe juridik i shqiptarëve, kur në këtë vend, 170 polic shqiptarë ka pasur deri më 2001, sot janë gati 3000 ky numër. Kur në këtë vend ka pasur vetëm 64 oficerë dhe nënoficerë shqiptarë, sot janë mbi 2000”, ka thënë lideri integrist Ahmeti. Por, nga MPB-ja përmes përgjigjes me shkrim zbardhin numrat e saktë të të punësuarve në MPB dhe polici dhe pjesëtarëve shqiptarë duke njoftuar se numri i shqiptarëve në polici është më pak se gjysma e shifrave të Ahmetit. “Numri i përgjithshëm i të punësuarve është 12435 të punësuar. Të punësuar me status të nëpunësve policorë 7491 të punësuar. Prej tyre, të punësuar me status nëpunës policor në uniformë – pjesëtarë të bashkësisë etnike shqiptare janë 1489 të punësuar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të lëshuar nga zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

“Jo, nuk mund të ketë 2000 oficerë dhe nënoficerë shqiptarë. Kjo është absurde. ARM numëron gjithsej rreth 8000 pjesëtarë. Mund t’ju them vetëm se nga numri i përgjithshëm i oficerëve, 11 për qind janë shqiptarë”, ka thënë Mirço Gorgovski, zëdhënës i ARM-së.