Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 19:11

Shkup – Presidenti Gjorge Ivanov sot i porositi qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të dielën, në zgjedhjet parlamentare të votojnë në mënyrë dinjitoze, me çka edhe njëherë do të konfirmohet pjekuria jonë demokratike dhe animi drejt vlerave euroatlantike.

“Në vitin kur festojmë dy dekada të pavarësisë dhe një dekadë të Marrëveshjes së Ohrit, në vitin kur presim vazhdim të integrimeve evropiane dhe euroatlantike, pritjet e mia dhe apeli im për të gjithë ju, është që të dielën, më 5 qershor, edhe një herë ta konfirmojmë pjekurinë tonë demokratike, ta konfirmojmë lidhjen tonë ndaj vlerave euroatlantike, ta festojmë demokracinë”, thotë presidenti Ivanov.

Të dielën, shton, qytetarët duhet ta japin votën e tyre për ata që në katër vitet e ardhshme do t’i prezantojnë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

“Ata të cilët në emrin Tuaj, do të duhet të sjellin vendime për atë që Maqedonia duhet të realizojë, përkatësisht për realizim sa më të shpejtë të qëllimeve tona strategjike. Ajo është dita Juaj. Ju vendosni”, thekson presidenti i Maqedonisë.

Ai u bën thirrje qytetarëve që ta bëjnë këtë në mënyrë dinjitoze, në atmosferë të lirë dhe demokratike.

“Dëshmuam shumë herë gjatë këtyre dy dekadave se jemi krah për krah me të gjitha demokratitë përparimtare. Sot, për mua është e papranueshme asgjë më pak se zgjedhje të drejta, demokratike, të lira dhe të ndershme. Askush në vendin tonë nuk ka të drejtë, që i udhëhequr nga interesat e ngushta t’i lejë peng interesat e qytetarëve, të shtetit. Secili që do të guxojë t’i shkelë rregullat zgjedhore, secili që në çfarëdo mënyre do t’i rerezikojë interesat dhe perspektivat e qytetarëve dhe shtetit, do të përballet me reagimin më të fuqishëm të mundshëm institucional dhe shoqëror”, thekson presidenti Gjorge Ivanov.