Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 16:20

Shkup – Dy partitë opozitare, PDSH dhe RDK kanë përjashtuar bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e tyre në opozitë, bëjnë të ditur burime për “Lajmeshqip”. Lajmi bëhet i ditur nga taborët e afërta brenda këtyre dy partive, të cilat pas rezultatit të tyre nga zgjedhjet e fundit parlamentare të 5 qershorit, kanë ndryshuar qasjen e bashkëveprimit.

Një burim pranë RDK-së ka bërë të njohur se kjo parti është herët të deklarohet lidhur me bashkëpunimin në opozitë, por se ajo do të merret me çështjet e formimit të organeve partiake brenda forumeve të ndryshme partiake, duke qenë se bëhet fjalë për një parti në formim e sipër dhe e cila u përfshi në periudhën e zgjedhjeve të parakohshme.

Nga ana tjetër, në PDSH tashmë nuk e shohin si alternativë bashkëveprimin me RDK dhe se kjo është komunikuar edhe nga kreu i kësaj partie, i cili edhe këtë parti e cilësoi si pjesë të partive që përçanë votat e shqiptarëve. Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi mes tjerash ka përjashtuar fillimisht ndonjë bashkëveprim me partitë e tjera të opozitës, pas zgjedhjeve, pasi që ai drejtoi akuza në drejtim të tyre për përçarje votash. PDSH e ka quajtur RDK-në si një parti pa perspektivë. Pohimet e tilla të Thaçit deri tani nuk janë komentuar nga krerët e RDK-së, të cilët së shpejti pritet të nisin parapërgatitjet për ristrukturimin e parë partiak nëpër degë dhe forumet e tjera partiake.