Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 11:37

Shkup – Vetëm dy kandidatë për deputet në listat e partive për zgjedhjet e 5 qershorit kanë rezultuar si bashkëpunëtor të sigurt dhe të verifikuar të shërbimeve sekrete, mëson portali Lajmeshqip.com.

Njëri nga kandidatët i takon një partie opozitare shqiptare dhe tjetri kandidat i koalicionit të partive opozitare maqedonase. Ndërsa, nëntë kandidatë të tjerë do të vijojnë në procesin e verifikimit të mëtejmë. Komisioni për Lustrimin nuk do të marrë vendim të enjten për heqjen e kandidatëve bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete nga listat e deputetëve.

Edhe përkundër paralajmërimit se kjo do të ndodhë deri të premten, të gjithë kandidatët do të kalojnë procesin e votimit dhe se gjendja e tyre do të bëhet publike vetëm pas zgjedhjeve, për shkak të afateve të stërzgjatura të vendimeve dhe ankesave gjyqësore, që mund të pasojnë nga kandidatët.

Mësohet se 11 kandidatët për deputet që kanë rezultuar paraprakisht si bashkëpunëtor, ata gjatë karrierës së tyre kanë përparuar për shkak të lidhjeve të ngushta me policinë dhe se bëhet fjalë për persona me emra dhe mbiemra të njohur.