Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 20:23

Shkup – Koalicioni fitues VMRO-DPMNE-ja ka harxhuar mbi 7. 2 milionë euro për fushatën parazgjedhore, ndërsa deri tek institucionet kompetente ka paraqitur se ka mbledhur vetëm rreth 400 mijë euro si donacion. Tridhjetë organizatorë të fushatës zgjedhore kanë dorëzuar raporte financiare deri tek Komisioni i Antikorrupsionit, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dhe deri tek Enti Shtetëror Statistikor (ESSH) deri më 4 qershor, afati i parashikuar me ligj, ndërsa mes tyre janë edhe partitë më të mëdha. Sipas kryetarit të Antikorrupsionit, Voisllav Zafirovski, pesë parti në mesin e të cilëve është edhe Të Bashkuar për Maqedoninë, VMRO-PP, PSDM, PPD dhe PND nuk kanë dorëzuar raport financiar dhe kundër tyre do të ngrihet akuzë për kundërvajtje, ndërsa gjoba për kundërvajtje të tillë është prej 4. 000 deri në 5. 000 euro.

Antikorrupsioni të enjten do të dalë me vlerësimet e saj për raportet financiare të cilat u janë dorëzuar. Nga raportet të cilat janë publikuat në ueb faqen e komisionit mund të shihet se koalicioni fitues i kryeministrit Nikolla Gruevskit në fushatën parazgjedhore ka harxhuar gjashtë herë më shumë se sa që ka mbledhur donacione. LSDM-ja, fushatën e ka financuar me kredi nga “Banka Komerciale” në vlerë prej 211 mijë euro dhe donacione prej 10 mijë euro, ndërsa ka harxhuar 75 mijë euro.

PDSH-ja ka paraqitur donacion prej 1000 euro, ndërsa ka shpenzuar 28 mijë euro. BDI-ja ka paraqitur shpenzime diku rreth 48 mijë euro, ndërsa donacione prej 94 mijë euro. PND-ja ka mbledhur dhe ka harxhuar rreth 10 mijë euro. Raportet i ka shqyrtuar Antikorrupsioni dhe përderisa zbulohet parregullsi pasojnë edhe akuza të kundërvajtjes.

“Raportet përfundimtare duhet të dorëzohen 15 ditë pas përfundimit të fushatës, do të thotë deri më 19 qershor. Partitë deri atëherë kanë hapësirë ta mbushin llogarinë. Pjesë e atyre mjeteve do t’i mbushin nga të hollat që i ka dhënë shteti për votat e fituara në zgjedhje, ndërsa pjesa e ngelur që nuk do të përmbushet është marrëdhënie financiare mes partisë dhe ofruesit të shërbimit”, tha kryetari i Antikorrupsionit, Zafirovski. Sipas tij, përderisa ajo marrëdhënie financiare në afat prej tre viteve nuk është e paguar ose paditur, do të konsiderohet si donacion dhe për të do të zbatohet procedurë adekuate.