Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 10:35

Shkup – Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), bën të ditur se është i gatshëm për procesin zgjedhor dhe organizimin e tij. Numri dy i këtij Komisioni, Subhi Jakupi, 84 komisioneve zgjedhore komunale, u janë dorëzuar fletëvotimet, certifikatat nga lista zgjedhore dhe procesverbalet. Gjatë ditëve të kaluara u dërgua materiali që nuk ishte sekret, kutitë votuese, paravanët, llamba ultra- vjollcë, spreji i tejdukshëm dhe të gjitha mjetet e tjera të nevojshme për realizimin e votimit. Jakupi bëri të ditur se situata e tensionuar në bllokun politik maqedonas, ka ndikuar në punën e KSHZ-së, por jo deri në atë nivel sa për ta penguar punën e komisionit.

“Punën tonë deri në përgatitjen finale e kanë përcjellë një sërë peripecish të ndryshme, të cilat më shumë kanë qenë probleme të natyrës teknike. Por, padyshim se probleme më të mëdha na ka shkaktuar organizimi i zgjedhjeve në diasporë, si dhe punët me sigurimin e vizave për këshillat zgjedhorë, bartja e materialit, dhe gjithë puna tjetër organizative kanë qenë problem shtesë me të cilat jemi ballafaquar”, deklaroi nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

KSHZ-ja, materialin sekret dhe josekret zgjedhor për diasporën ia ka dorëzuar një personi të autorizuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ). Zgjedhjet në diasporë do të zhvillohen të shtunën më 4 qershor.

Votimin do ta zbatojnë këshillat zgjedhore të formuar në pajtim me nenin 113 të Kodi Zgjedhor, dhe në të gjitha kontinentet janë paraqitur gjithsej 7.225 votues.

Numri më i vogël i tyre është në Kinë ku janë paraqitur vetëm 10 votues, në kontinentin e Amerikës rreth 1700 votues, nga të cilët vetëm 295 shqiptarë, çka nënkupton se shqiptarët kanë humbur që në fillim deputetin që do të zgjidhet nga KSHZ-ja, në Itali janë paraqitur afër 1100 votues, në Zvicër 995 votues.

Duke komentuar fushatën parazgjedhore Jakupi me vlerësime pozitive për subjektet politike shqiptare ndërsa me kritika për bllokun politik maqedonas.

“Kësaj radhe partitë politike shqiptare kanë qenë në nivel, kanë realizuar një fushatë kryesisht të mirë. Ne shpresojmë se kjo qetësi do të jetë edhe në ditën e votimeve. Por kjo nuk mund të vlen edhe për partitë politike maqedonase të cilat kanë marrë primatin e problemeve”, deklaroi Subhi Jakupi.

Ai tha se KSHZ-ja pret gjithashtu dalje masive të qytetarëve në votime më 5 qershor. Lidhur me rezultatet KSHZ-ja ka organizuar në ueb faqen e saj të internetit një sajt ku drejtpërdrejtë nga interneti mund të përcillen të gjitha rezultatet, ndërsa shpejtësia do të varet nga këshillat komunal.