Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 10:56

Shkup – Personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, të cilët nuk munden të votojnë në vendvotime të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, deri sonte në mesnatë duhet ta njoftojnë Komisionin Komunal Zgjedhopr (KKZ). Atyre u është mundësuar të votojnë një ditë para zgjedhjeve në shtëpitë e tyre ose ku qëndrojnë ata.

Më 4 qershor, krahas të sëmurëve dhe të pafuqishmëve, do të mund të votojnë edhe 2. 222 persona, të cilët janë në paraburgim ose në vuajtje të dënimit me burg, 407 persona të shpërngulur në brendësi, si dhe 7. 258 shtetas të Maqedonisë në diasporë.

KSHZ-ja do të fillojë ta distribuojë materialin zgjedhor deri te KKZ-ja, ndërsa fletët për votim të të shpërngulurve dërgohen përmes postës diplomatike së bashku me anëtarët e këshillave zgjedhorë.

Fushata zgjedhore përfundon të premten në mesnatë, kur fillon heshtja zgjedhore, e cila zgjat deri të dielën në orën 19. Votimi të dielën më 5 qershor, fillon në orën shtatë dhe do të zgjasë deri në orën 19. Të drejtë vote kanë 1.821.122 votues, të cilët në 2. 976 vendvotime do të mund të prononcohen për 18 lista me 1.679 kandidatë për 120 vende deputetësh në Parlamentin e Maqedonisë.

Zgjedhjet do të realizohen sipas modelit proporcional, ndërsa për herë të parë nga pavarësimi i Maqedonisë, të drejtë vote do të kenë edhe shtetasit e Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë vendit. Vendi është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore, ndërsa diaspora në tre njësi zgjedhore edhe atë Evropa dhe Afrika, Amerika Veriore dhe Jugore, Australia dhe Azia.

Për ndjekjen e zgjedhjeve, deri tani janë akredituar 489 vëzhgues të huaj dhe 7. 341 vendorë.