Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 13:24

Shkup – Kreu i Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, i cili është njëkohësisht djali i dajës i kryeministrit Gruevski, kryeson ekipin negociues të VMRO-DPMNE-së për zhvillimin e negociatave me BDI-në për formimin e qeverisë së re, mëson e përditshmja maqedonase “Dnevnik”.

Sipas burimeve partiake në ekipin e VMRO-së përpos Mijallkovit janë të përfshirë edhe ministrat, Gordana Jankullovska, Nikolla Todorov, Zoran Stravrevski dhe Vladimir Peshevski. Asnjë nga VMRO-DPMNE madje nuk ka pranuar të komentojë përbërjen e ekipit të tyre negociator.

Burime të Lajmeshqip.com pranë BDI-së kanë konfirmuar përbërjen e ekipit të VMRO-DPMNE-s dhe kanë pohuar se ditë më parë janë takuar me përfaqësuesit e tyre, Abdilaqim Ademi, Izet Mexhiti, Ermira Mehmeti, Fatmir Besimi dhe Musa Xhaferi. Në kampin e BDI-së, praninë e Mijallkovit në ekipin negociator të VMRO-DPMNE-së e komentojnë si presion për t’i zbutur kërkesat e tyre.

Sipas interpretimit të tyre, ky është një mesazh nga VMRO-DPMNE se akoma nuk gjindet një zgjidhje për rastet e Hagës në të cilat janë përfshirë zyrtarë të lartë të partisë.

Përveç kësaj, nga BDI thonë se ky është një reagim ndaj mendimit negativ të kreut të BDI-së Ali Ahmeti ndaj Mijallkovit, i cili u botua disa ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Musa Xhaferi, i cili është në grupin negociator të BDI-së, nuk ka dhënë detaje për rrjedhën e bisedimeve duke thënë se palët shqyrtojnë edhe aspektet e përmirësimit të qeverisjes.

“Tre vjet jemi bashkë, të gjitha negociatat do të jenë në drejtim se si ta përmirësojmë qeverisjen, të analizojmë se ku ishin pikët tona të përbashkëta, të dobëta apo të mira, sepse edhe ashtu funksionojnë të gjitha organet në qeveri, përfshirë komisionet dhe seancat e qeverisë. Negociatorët janë takuar në bazë të nevojës, ndonjëherë edhe nga 2-3 herë brenda ditës”, ka thënë Musa Xhaferi, anëtar i ekipit negociues të BDI-së.

Kjo është atmosfera e fillimit të negociatave për formimin e koalicionit, ndërsa grupet punuese kanë hasur në dallime të mëdha rreth arritjes së një platforme të përbashkët të plotësuar me kërkesat e BDI-së.

Kërkesat e partisë së Ali Ahmetit janë që nga platforma politike, e deri te ndarja e resorëve ministror në mënyrë proporcionale.