Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 10:05

Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim, mbrëmë e prezantoi programin zgjedhor para banorëve të komunës Shuto Orizare të Shkupit.

Lideri i partisë, Ali Ahmeti theksoi se platforma e BDI-së bazohet në tre shtylla: zhvillimi ekonomik, zbatimi i plotë i Marrëveshjes të Ohrit dhe integrimi i shtetit në BE dhe NATO.

“Mbështetja e madhe e popullit nuk është për atë se jemi të privilegjuar, por se na presin edhe shumë detyra që duhet t’i plotësojmë. Duhet të krijojmë të ardhme për të rinjtë, ata të mbeten këtu, e jo të ikin jashtë shtetit. Shpresoj dhe besoj në kuadrin e BDI-së, sepse përbëhet nga ekspertë të cilët do të angazhohen për të mirën e popullit. Mbetën ende detyra për të paplotësuar si ato të Korridorit 8, që duhet të kryhen këtë mandat. Maqedonia, domosdo, do të inkuadrohet në NATO dhe në BE, sepse dëshirojmë Evropë pa kufinj. BDI ka vizion, opsion dhe projekte për të mirën e qytetarëve. Të gjithë që kanë dilemma, le të dalin të votojnë, sepse vota jonë e krijoi Universitetin e Tetovës, studimet e disperzuara, Skënderbeun dhe do të krijojë edhe punë të tjera të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni”, porositi Ahmeti.

Bartësja e listës në njësinë e dytë zgjedhore, Ermira Mehmeti-Devaja u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime të dielën dhe t’i japin mbështetje BDI-së.

Nga Shuto Orizarja, partia porositi se do të vazhdojë të angazhohet në interes të shqiptarëve, duke potencuar se vetëm të bashkuar mund të jemi të suksesshëm në përparmin e të drejtave të tyre.