Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 13:11

Shkup – Kodi penal në Maqedoni parasheh dënime të larta për shkelësit e procesit zgjedhor dhe të gjithë ata që do të përfshihen në incidente gjatë zgjedhjeve.

Dënime prej 3 deri në 15 vjet janë paraparë për të gjithë ata që shkaktojnë probleme, mbushje kutish, kërcënime dhe incidente të tjera në ditën e zgjedhjeve të 5 qershorit.

Kodi penal, gjithashtu, parasheh dënime me burg edhe për ata që mashtrojnë qytetarët në ditën e zgjedhjeve, ata që keqpërdorin votën e lirë, ata që janë të përfshirë në blerjen e votave, lëndimin e të drejtës së votës, privatësinë e votimit si dhe ata që bllokojnë apo involvohen në forma të ndryshme në pengimin dhe parregullsi të tjera gjatë procesit zgjedhor.

Për shkak të incidenteve të zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2008 janë ngritur kallëzime penale kundër 75 personave, pjesa më e madhe e tyre kanë vuajtur burgun dhe dënimet, pasi që një pjesë janë dënuar me burg deri në tre vite e më shumë, ndërsa pjesa tjetër është dënuar në para.

Kodi parasheh dënime për keqpërdorimin e parave të buxhetit, në rast se ndonjë parti politike ka bërë një veprim të tillë. Dënim me burg deri në 5 vjet për personin përgjegjës të një partie, i cili me kohë nuk ka dorëzuar raportin financiar rreth harxhimeve të fushatës zgjedhore, një afat që tani skadon ditën e enjte, me ç`rast partitë janë të obliguara të dorëzojnë raportet e harxhimeve financiare për fushatën.

OSBE/ODIHR ka përshëndetur këto ndryshime të Kodit penal, mirëpo kanë shprehur vërejtjen për azhuritetit dhe mospavarësimin e gjykatave gjatë ekzekutimit të vendimeve për dënime.