Lajme Shqip Sunday, 05 June 2011 15:49

Tetovë – Ambasadori amerikan në Maqedoni Filip Riker deklaroi se nga kjo që mund të shihet deri më tani procesi zgjedhor po zhvillohet më së miri, por se për vlerësimin final do ta presë raportin e OSBE-ODHIR-it.

“Kisha rastin që në Tetovë të takohem me ambasadorin Sorensen në pushimin derisa vizituam disa vendvotime. Paraprakisht isha në Karposh, në komunën e Zhelinës dhe këtu në Tetovë. Sa i përket vijimit të zgjedhjeve do ta presim raportin e ODHIR-it, por tani për tani nga kjo që munda të shoh gjithçka po zhvillohet më së miri”, tha Riker.

Të njëjtin qëndrim për rrjedhln e zgjedhjeve dhe  për vlerësimin përfundimtar e ndau edhe ambasadori i BE-së në Maqedoni Peter Sorensen.

“Unë dhe ambasadori Riker punojmë së bashku në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare. I këmbyem pikëpamjet tona, por sipas asaj që unë pash në Haraçinë, Shkup dhe këtu, dhe sigurisht se do të vizitojmë edhe disa vendvotime të tjera në kthim për në Shkup, gjithçka po zhvillohet në rregull. Megjithatë do ta presim raportin nga ODHIR-it”, deklaroi Sorensen gjatë vizitës në një qendër  votimi në Tetovë.