Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 07:32

Shkup – PPD dhe BDK rrezikojnë dënime prej 4 mijë deri në 5 mijë euro për shkak të mosdorëzimit të raporteve financiare për fushatën zgjedhore pranë Komisionit Antikorrupsion.

Përveç tyre raportet financiare nuk janë dorëzuar edhe partia “Të Bashkuar për Maqedoninë (OM)” e udhëhequr nga Lube Boshkovski , i arrestuar disa ditë më parë, VMRO-Partia Popullore, si dhe Partia Social Demokrate e Maqedonisë (SDPM).

Në përputhje me Kodin zgjedhor, partitë të cilat nuk kanë dorëzuar raportet financiare në afatet e parapara kohore do të ballafaqohen me dënime prej 4 mijë deri në 5 mijë euro. Komisioni Antikorrupsion bëri të ditur se raportet financiare i kanë dorëzuar 13 parti politike dhe se po vijon shqyrtimi i tyre.

Tek disa parti janë vërejtur më shumë para të paraqitura se sa harxhimet e bëra gjatë fushatës. Raportet financiare do të duhet të dorëzohen edhe pranë Entit për Revizion si dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.