Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 17:09

Ohër - Komisioni zgjedhor i komunës së Ohrit kumtoi se kanë përfunduar përgatitjet për zbatim të qetë të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2011.

Kryetarja e KZK-së, Angelina Nedeska, qartësoi se të gjitha rendet janë të ruajtura, është dorëzuar materiali i përgjithshëm nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor në KZK, janë përgatitur të gjitha listat në lidhje me njerëzit e sëmurë dhe me aftësi të kufizuara, janë përfunduar të gjitha vendimet për bordet zgjedhore dhe gjatë ditës së nesërme materiali zgjedhor do të dorëzohet deri te bordet zgjedhore.

Nedeska informoi për ndryshimet e vendvotimeve, të bëra në bashkëpunim me njësinë vendore të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, duke qartësuar se në këto zgjedhje në kuadër të Komunës së Ohrit do të votohet në 72 vendvotime. Është hequr vendvotimi në fshatin Skrebatno, ndërsa votuesit nga ky fshat të drejtën e votimit do të mund ta realizojnë në fshatin Leskovec.

Sipas paralajmërimeve, bordet zgjedhore veçmë nesër pas pranimit të materialit zgjedhor do t’i vizitojnë të sëmurët dhe personat e pafuqishëm, që edhe ata të votojnë, si dhe personat të cilët janë në paraburgim ose në vuajtje të dënimit me burg.

Në pajtim me listën e vetme zgjedhore, në komunën e Ohrit janë regjistruar gjithsej 54.437 qytetarë me të drejtë vote. Ohri i takon njësisë zgjedhore 5, në përbërjen e së cilës janë edhe 14 komuna edhe atë Qendra Zhupa, Vevçani, Struga, Debërca, Resnja, Manastiri, Demir Hisari, Krusheva, Dollneni, Pllasnica, Drugovo, Vraneshtica, Kërçova dhe Zajazi.