Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 12:30

Shkup – Zgjedhjet e parakohëshme të së dielës janë zgjedhjet e shtata parlamentare në Maqedoni. Zgjedhjet e para për deputetë të Parlamentit të Maqedonisë u mbajtën në vitin 1990, të dytat në 1994, të tretat në 1998, të katërtat në 2002, të pestat në 2006, ndërsa të gjashtat në vitin 2008.

Krahas zgjedhjeve parlamentare, janë zbatuar edhe katër zgjedhje presidenciale – në 1994, 1999, 2004 dhe në vitin 2009, si dhe pesë zgjedhje lokale – në vitin 1990, 1996, 2000, 2005 dhe 2009.

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë dy herë dolën edhe në referendum, në vitin 1991, kur vendosën për shtet të pavarur dhe në vitin 2004 kur u prononcuan për ndarje të re territoriale.

Zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare në Maqedoni u mbajtën në nëntor të vitit 1990. Jehona zgjedhore në raundin e parë ishte 84,8%, ndërsa në të dytin 76,8%. Më shumë vende për deputetë në përbërjen e kuvendit nga viti 1990 deri në vitin 1994 kishte VMRO-DPMNE-38, SKP-PDP (LSDM-ja e sotme) – 31 dhe Partia për Prosperitet Demokratik – 17.

Në Parlament participuan edhe deputetë nga Lidhja e Forcave Reformuese të Maqedonisë, nga PSM-ja, nga Partia e Jugosllavëve në Maqedoni, Partia e Re Demokratike-Progresive, nga VMRO-Partia Demokratike, nga Partia për Emancipim të Plotë të Romëve dhe tre kandidatë të pavarur. Kryetar i Kuvendit në atë periudhë ishte Stojan Andov. Kuvendi me shumicë votash e zgjodhi Kiro Gligorovin president të shtetit.

Më 20 mars të vitit 1991 u zgjodh qeveria e parë eksperte e Republikës së pavarur të Maqedonisë, e udhëhequr nga Nikolla Klusev. Në shtator të vitit 1992, pas votimit të mosbesimit në Kuvend, qeveria e Klusevit dha dorëheqje, ndërsa kabinetin e ri qeveritar e formoi Branko Cërvenkovski i LSDM-së.

Ndërkohë, zgjedhjet e dyta parlamentare u mbajtën në tetor të vitit 1994. U zbatuan sipas modelit zgjedhor të shumicës, me 16 dhe 30 tetor, njëkohësisht me zgjedhjet e para të drejptërdretjta presidenciale.

VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike, që atëherë udhëhiqej nga Petar Goshev, e bojkotuan raundin e dytë të zgjedhjeve me konfirmimin se ka pasur parregullsi serioze në procesin zgjedhor. Më 19 nëntor të vitit 1994 u inaugurua përbërja e re e Kuvendit. Më tepër vende për deputetë në përbërjen parlamentare 1994-1998 kishte LSDM-ja 62, PLD-ja  27, Partia për Prosperitet Demokratik 11, Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve 4, Partia Popullore Demokratike 2, Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni, Partia për Aksion Demokratik – Rruga Islamike 1, Lidhja Demokratike e Maqedonisë  1, Partia Socialdemokratike e Maqedonisë 1, Partia për Emancipim të Përgjithshëm të Romëve 1, Partia Socialiste e Maqedonisë 6, ndërsa 4 deputetë ishin të pavarur. Kryetar i Kuvendit, përsëri u zgjodh Stojan Andov, i cili mbeti në këtë funksion deri në mars të vitit 1996. Pasi Andovi dha dorëheqje, në këtë pozicion erdhi Tito Petkovski.

Me një konstelacion të tillë të forcave, partitë politike që ishin në pushtet deri në zgjedhjet e vitit 1994, përsëri formuan qeveri koalicioni me në krye Branko Cërvenkovskin nga LSDM-ja.

Zgjedhjet e treta parlamentare ishin mbajtur në tetor dhe në nëntor të vitit 1998. U votua në dy raunde, sipas parimit të shumicës së kombinuar dhe parimit proporcionial – 85 deputetë u zgjodhën me modelin e shumicës, ndërsa 35 sipas modelit proporcional. Në votime dolën 72,9 për qind nga votuesit e regjistruar. Fitoi koalicioni “Për ndryshime” që e përbënte VMRO-DPMNE-ja dhe Alternativa Demokratike. Në Kuvend më shumë vende për deputetë kishte VMRO-DPMNE 49, LSDM 27, PPD 14, AD 13, PDSH-PKD-11, PLD-PDM 4, PSM 1 dhe Lidhja e Romëve të Maqedonisë 1. Qeverinë e formuan VMRO-DPMNE, AD dhe PDSH, ndërsa udhëhiqej nga Lupço Georgievski. Kryetar i Kuvendit u zgjodh Savo Klimovski.

Në nëntor të vitit 2000, pasi AD u largua nga qeveria, u zgjodh Stojan Andov. Në maj të vitit 2001, kur filloi konflikti ushtarak, u formua qeveri e koalicionit të gjerë, në të cilën hyri LSDM-ja, ndërsa u largua në nëntor të vitit 2001. Zgjedhjet e katërta parlamentare u mbajtën më 15 shtator të vitit 2002, sipas modelit zgjedhor proporcional, në gjashtë njësi zgjedhore. Jehona e votuesve ishte 73,4 për qind. Merrnin pjesë 33 parti dhe koalicione, si dhe pesë lista të kandidatëve të pavarur. Fitoi koalicioni “Për Maqedoninë së bashku”, i cili kishte më shumë vende për deputetë në Kuvend 60. Koalicioni VMRO-DPMNE-PL kishte 33, BDI 16, PDSH 7, PPD 2, PDK 1 dhe PSM 1 deputet. Pas zgjedhjes së Cërvenkovskit president të vendit, kryeministër u bë Hari Kostov, i cili qëndroi në krye të qeverisë deri në nëntor të vitit 2004, kur dha dorëheqje. U formua përbërja e re qeveritare, e kryesuar nga Vllado Buçkovski.

Zgjedhjet e pesta paralmentare u mbajtën më 5 korrik të vitit 2006, sipas modelit zgjedhor proporcional, në gjashtë njësi zgjedhore, si zgjedhjet parlamentare në vitin 2002. Jehona e votuesve ishte 56,5 për qind. Fitoi opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, e cila më vonë formoi edhe qeveri.

Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë”, i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, fitoi 44 vende për deputetë, koalicioni “Për Maqedoninë së bashku”, i kryesuar nga LDSM-ja 32, koalicioni BDI-PPD 18, PDSH 11, Partia e Re Socaildemokratike 7, VMRO Partia Popullore 6, Përtëritja Demokratike e Maqedonisë 1 dhe Partia për të Ardhme Evropiane 1 mandat.

Pas zgjedhjeve, mandati për formimin e kabinetit të ri qeveritar iu dha liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili më 28 gusht u zgjodh kryetar i qeverisë. Në përbërjen e saj hynë përfaqësuesit e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE, PDSH dhe PRSD. Qeveria u përkrah edhe nga PDM dhe PEI. VMRO-PP votoi për qeverinë, por nuk mori pjesë në koalicionin qeveritar.

Zgjedhjet e gjashta për deputetë në dhomën ligjdhënëse u mbajtën më 1 qershor të vitit 2008 dhe ishin zgjedhjet e para të parakohshme nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë në vitin 1991.

Zgjedhjet u zbatuan sipas modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore. Të drejtë vote kishin 1.779.116 votues, të cilët në 2976 vendvotime u prononcuan për 18 lista me 1.540 kandidatë për 120 vende deputetësh në Kuvendin e Maqedonisë.

Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë u mbajtën më 1 qershor të vitit 2008, pas votimit dhe shpërbërjes së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, më 12 prill 2008. Këto ishin zgjedhjet e para të parakohëshme parlamentare nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë në vitin 1991.

Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në vitin 2008, fitoi 63 vende deputetësh, koalicioni “Dielli”, i kryesuar nga LSDM-ja 27, BDI 18, PDSH 11 dhe PAE 1. Pas zgjedhjeve, mandatin për formim të Qeverisë sërish e fitoi kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.