Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 11:38

Shkup - Në mesnatë përfundoi fushata parazgjedhore dhe filloi heshtja 24-orëshe para zgjedhjeve të nesërme parlamentare. Partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur, të cilët u paraqitën për pjesëmarrje në zgjedhje, në 20 ditët e kaluara para elektoratit i prezantuan programet e tyre dhe kandidatët dhe e kërkonin besimin e qytetarëve.

Votimi të dielën më 5 qershor fillon në orën shtatë dhe do të zgjasë  deri në orën 19. Gjithsej  1.821.122 votues të cilët në 2976 njësi zgjedhore do të mund të prononcohen për 18 lista  me 1679 kandidatë. Për herë të parë, tre nga 123 deputetët e ardhshëm të Kuvendit do të zgjidhen nga diaspora. Nga tre njësitë zgjedhore jashtë vendit – në Evropë dhe në Afrikë, në Amerikën Veriore dhe Jugore dhe në Australi dhe në Azi, janë paraqitur  gjithsej 19 lista të kandidatëve, me të cilat mund të prononcohen 7.258 shtetas të Maqedonisë, të citët janë paraqitur për  votim në përfaqësitë konsullore diplomatike.

Mërgimtarët votojnë sot, si dhe 2.222 persona  të cilët janë në paraburgim apo në vuajtjen e dënimit me burg, 407 të zhvendosur brenda vendit dhe rreth 11.000 të sëmurë dhe persona të pafuqishëm.

KSHZ-ja  kumtoi se kanë përfunduar  të gjitha përgatitjet  për votim  materiali zgjedhor  tashmë është dorëzuar  deri te organet kompetente  për zbatimin e tyre.

Zgjedhjet parlamentare do t’i vëzhgojnë 7.850 mbikëqyrës  të akredituar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, prej të cilëve 7.357  të vendit dhe 483 të huaj. Nga të huajt më shumë janë nga OBSE/ODHIR 235 të Asamblesë të Përgjithshme  të OSBE-së 47, të Ambasadës të SHBA-së 39, Delegacioni i Komisionit Evropian 20 dhe Këshillit të Evropës  16, ndërsa mbikëqyrës do të kenë edhe  ambasade e Francës, Sllovenisë, Britanisë të Madhe, Rusisë, Çekisë, Austrisë, Turqisë, Kinës, Hungarisë, Kroacisë Italisë dhe Sllovakisë në Shkup, Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Kosovës dhe Grupit Ndërkombëtar të Krizës. Mes  mbikëqyrësve të vendit  më shumë janë nga Asociacioni  qytetar MOST 4.466, ndërsa të tjerët janë  edhe nga gjashtë organizata joqeveritare.