Lajme Shqip Sunday, 05 June 2011 09:25

Shkup – Në 2.976 vendvotime në Maqedoni, sot prej orës 07:00 deri në orën 19:00 mund të votojnë 1.821.122 votues. Ata votën e tyre mund ta japin për 18 lista kandidatësh, në të cilat ka 1.679 kandidatë. Për herë të parë në këto zgjedhje votuan edhe shtetasit e Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë vendit. Gjithsej 7.258 mërgimtarë të paraqitur, të drejtën e votës mundën ta realizojnë dje në Përfaqësitë diplomatike konsullare të Maqedonisë jashtë vendit.

Krahas diasporës, dje, një ditë para zgjedhjeve të sotme, votuan edhe të burgosurit, të sëmurët dhe personat e zhvendosur.

Konfirmimi i identitetit personal të qytetarëve do të kryhet me letërnjoftim apo dokument udhëtimi. Secilit votues, para se të votojë, me llambë UV do t’i kontrollohet gishti tregues i dorës së djathtë, pas çka ai do t’i spërkatet me sprej të padukshëm, që mbetet në gisht tre ditë. Votohet me rrumbullakësimin e numrit rendor të listave të kandidatëve në fletëvotim. Fletëvotim me vlerë llogaritet ai nga i cili në mënyrë të sigurtë dhe të padyshimtë mund të konstatohet se për cilën listë të kandidatëve ka votuar zgjedhësi.

Para se të votojë zgjedhësi në fletëvotim, anëtarë të organeve zgjedhore i vendosin vulë në pjesën e përparme, ndërsa pasi që të votojë dhe do ta palosë fletën para se ta vendosë në kutinë e votimit, i vendosin vulë edhe në anën e pasme.

Votimi është i fshehtë dhe kryhet personalisht dhe me një fletëvotim. Votimi për person tjetër është i ndaluar, përveç në raste të parapara me nenin 111 të Kodit zgjedhor. Zgjedhësi i cili ka mungesë fizike apo është analfabet dhe për atë arsye nuk mund të votojë në mënyrë të konfirmuar me Kodin, me vete ka të drejtë të sjellë person i cili do t’i ndihmojë gjatë votimit. Nëse zgjedhësi nuk sjell me vete ndonjë person i cili do ta ndihmojë gjatë votimit, atëherë Këshilli zgjedhor do të përcaktojë person tjetër nga radhët e votuesve. Personi i cili do t’i ndihmojë personit tjetër gjatë votimit nuk guxon të jetë nga radhët e anëtarëve të këshillit zgjedhor, përfaqësuesit e bartësve të listave apo nga radhët e vëzhguesve. Ky person nuk guxon të ndikojë në vendimin e zgjedhësit, ndërsa gjatë votimit mund t’u ndihmojë së paku dy votuesve të cilët janë me pengesa fizike apo janë analfabetë. Kjo mënyrë e votimit është shënohet në procesverbal.

Procesverbalet dhe materialin tjetër zgjedhor këshillat zgjedhorë e dërgojnë në KKZ në afat prej pesë orëve pas përfundimit të votimit. KKZ në afat prej pesë orëve prej pranimit të tërë materialit zgjedhor nga këshillat vendor për të cilat ai është kompetent, i mbledh rezultatet nga votimi për listat e kandidatëve nga vendvotimet në njësinë adekuate zgjedhore.

KSHZ rezultatet fillestare të zgjedhjeve, të marra me anë elektronike i shpall në mënyrë sukcesive pas pranimit të rezultateteve. Rezultatet fillestare të zgjedhjeve të marra në bazë të të dhënave nga procesverbalet nga komisionie komunale zgjedhore i shpall në afat prej 12 orëve pas përfundimit të zgjedhjeve – më herët, në orën 7 të ditës së ardhshme. KSHZ rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve i shpall në afat prej 24 orëve pas përfundimti të tyre.

Secili bartës i listës së kandidatëve në procedurën për votim, mbledhje dhe konfirmim të rezultateve të votimit mund të parashtrojë ankesë në KSHZ në afat prej 48 orëve pas përfundimit të votimit. KSHZ është e obliguar të vendosë rreth ankesës në afat prej 48 orëve pas pranimit.

Kundër vendimit të KSHZ-së bartësi i listës së kandidatëve mundet sërish në afat prej 48 orëve nga pranimi i vendimit, të parashtrojë ankesë në Gjykatën administrative të Republikës së Maqedonisë, e cila ndërkaq pas ankesës është e obliguar të sjellë vendim në afat prej 48 orëve pas pranimit të ankesës.

Secili votues, të cilit i është shkelur e drejta votuese në procedurën e zbatimit të votimit, mund të parashtrojë ankesë në KSHZ në afat prej 24 orëve. KSHZ ështëe  obliguar që në afat prej katër orëve pas pranimit të sjellë vendim.

Kundër vendimit të KSHZ-së, votuesi mundet në afat prej 24 orëve pas pranimit të parashtrojë ankesë në Gjykatën administrative të RM-së e cila ndërkaq pas ankesës është e obliguar të sjellë vendim në afat prej 48 orëve pas pranimti të saj.

KSHZ përkatësisht KKZ me vendim e asgjëson votimin në vendvotim për shkak të parregullsive të konstatuara.

Kundër vendimit me të cilin asgjësohet votimi mund të parashtrohet ankesë në Gjykatën administrative të RM-së në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata administrative e Republikës së Maqedonisë është e obliguar që pas ankesës të veprojë në afat prej 48 orëve pas pranimti të saj.