Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 10:24

Kumanovë – Rasti i të akuzuarve të Sopotit vazhdon të mbetet peng. Gati një vit që po mbahen në burg shtëpiak Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Shaban Limani, dhe që duhen të paraqiten në seanca gjyqësore, pastaj Zenel Klaiqi i cili mbahet në burgun e Shutkës, nën hetime si dhe Shaqir Sulejmani që është dorëzuar vet në burg, para disa muajsh. Ata as të lirohen përfundimisht e as të dënohen përfundimisht. Anëtarët e familjeve të tyre as që duan të prononcohen për mjetet të informimit. Ata thonë se dëshpërimi ka kaluar durimin aq sa nuk është interesant për të shkruar e sidomos dëshpërimi te subjektet politike shqiptare.

“Ata kanë mbetur as të gjallë e as të vdekur qe tetë vite”, thotë njëri nga familjarët e sopotasve, pas shtyrjes së seancës së fundit. Ai më tej vlerëson se zvarritjet vazhdojnë të zgjaten e stërzgjaten sa askush nuk e di përfundimin e saj.

“E gjithë çështja ka mbetur në duar të Zotit, ndërkohë që kjo punë varet pre njerëzve” thonë sopotasit. Nuk ka tjetër alternativë pos shpresës por edhe ato janë për njerëz të varfër, pa forcë për të dëshmuar të vërtetën dhe për ta dërguar të vërtetën në shesh”, kanë thënë familjarët. Edhe në seancën e fundit të mbajtur gjatë kësaj jave Ministrisë së Drejtësisë nuk dërgoi në gjykatë dy të paraburgosurit për rastin e Sopotit, me arsyetimin e mungesës së transportit. “Faji në këtë rast është te autoritetet e burgut, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë që t’i sjellin në gjykatë dy të akuzuarit. Nuk është serioze që të bëhen obstruksione, sepse kjo lëndë është prioritet dhe nuk ka arsyetimet të tilla që njerëzit e pafajshëm të rrinë në burg. Ministria e Drejtësisë ka dhënë arsyetim të palogjikshëm”, ka thënë avokati Naser Raufi. Ndërkaq në këtë seancë gjyqësore është paraqitur dëshmitari kyç për Sopotin, Ramadan Bajrami, i cili do të sqaronte dhe ndihmonte me dëshminë e tij për lirimin e dy të paraburgosurve për tu mbrojtur në arrest shtëpiak me katër të dënuarit e tjerë që janë në arrest shtëpiak. Dëshmitari kryesor Ramadan Bajrami ka qenë prezent, por s`ka mundur të jap dëshmisë se nuk kanë qenë dy të paraburgosurit, që nuk i sollën prej burgut të Shkupit. 11 banorë të fshatit Sopot të rajonit të Kumanovës ishin të dënuar me 156 vite burg, me akuzën për vendosjen e një mjeti shpërthyes në vitin 2003 në dalje të fshatit të tyre, me ç`rast humbën jetën dy pjesëtarë të forcave të NATO-s nga kontingjenti polak. Disa prej tyre po mbahen në paraburgim shtëpiak, dy në burgun e Shutkës dhe të tjerët gjenden në arrati. Procesi është rikthyer në rigjykim dhe në bazë të disa provave të siguruara, banorët e akuzuarit pritet të shpallen të pafajshëm. Ndërkohë, seanca e radhës është caktuar për 30 qershor, ku siç thonë familjarët e të akuzuarve pritet së paku lirimi dhe mbrojtja në liri e dy të paraburgosurve Zenel Klaiqi e Sulejman Shaqirit