Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 14:39

Kumanovë – Dega e Partisë Demokracia e Re në Kumanovë, në mbledhjen e saj të mbajtur të mërkurën më 8 qershor 2011, pas zgjedhjeve parlamentare dhe dorëheqjes morale ku lideri i saj zotëri Imer Selmani mori përgjegjësinë morale për mossukses në zgjedhjet e parakoheshme parlamentare, duke dhënë dorëheqje, ka vendosur që të mos e pranoj dorëheqjen.

“Me këtë komunikatë njoftojmë opinionin dhe më gjerë se mossuksesi i Demokracisë së Re në këto zgjedhje, nuk është përgjegjësi vetëm e Imer Selmanit, por e të gjithëve. Megjithatë, ky nuk është mossukses dhe nuk sjell dëshpërim aspak në mesin tonë”, thuhet në komunikatë. Më tej në këtë njoftim thuhet se “gjesti i Imer Selmanit dëshmon edhe një herë per përgjegjësi morale që dinë të mbajnë vetëm njerëzit që kanë karakter, dinjitet dhe që janë të ndërgjegjshëm në jetë dhe para popullit. Njerëzit e tillë dëshmojnë se dinë të jenë të ndërgjegjshëm dhe se akte të ndërgjegjësimit si të Imer Selmanit janë antologjike në historinë e popullit shqiptar, siç ishte rasti edhe i themeluesit të shtetit shqiptare Ismail Qemailit. Andaj, popullata shqiptare jo vetëm e Kumanovës por edhe më gjerë nuk do të pranojnë për asnjë kusht dorëheqjen e Imer Selmanit nga posti i liderit të Demokracisë së Re”. Me dijen, me guximin e me zemërgjerësinë e tij ai dha shumë për të mirën e shqiptarëve jo vetem në maqedoni, por edhe për Kosovën e Shqipërinë dhe kjo e mirë nuk harrohet, thuhet mes tjerash në njoftim.

Kontributi i Imer Selmanit bashkë me deputetët tjerë gjatë mandatit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë dhe më gjerë është i pamohueshëm në të gjitha sferat e jetës politike, parlamentare dhe lokale.

“Ai bashkë me deputetët e tjerë dëshmuan se dinë ta mbrojnë çështjet dhe kauzën shqiptare përmes mijëra amendamenteve, (sidomos amendamenti për sopotasit), kurse në pushtetin lokal këshilltarët e kësaj partie brenda një periudhe një vjeçare kontribuuan sa të tjerët që punuan për dekada të tëra”, ka nënvizuar dega e DR në Kumanovë.