Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 09:51

Kërçovë – Demokracia e Re në tubimin parazgjedhor pasditen e të enjtes në Kërçovë e prezantoi platformën e saj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryetari i parties, Imer Selmani kërçovarëve u porositi se nuk ka probleme që nuk mund të zgjidhen.

“Nuk ka probleme, të cilat nuk mund të zgjidhen, ka vetëm politikanë të paaftë, të cilët nuk dinë se si të ballafaqohen me problemet. Këtu në Kërçovë mbetet gabim i pafalshëm fakti që Zajasi dhe Osllomej edhe më tej mbetën të ndarë me Kërçovën”, ka thënë Selmani. Arkën shtetërore, theksoi ai, e mbushim me deri 40 për qind, ndërsa prej aty marrim mezi nëntë për qind.

“Paratë tona harxhohen për objekte joproduktive, në çka më së shumti ndihmon edhe partneri shqiptar në pushtet. Ne si parti do të luftojmë që sa më shumë t’u ndihmojmë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat do të investojnë në reparte të reja, me çka do të hapen vende të reja të punës. Do të japim volitshmëri edhe për emigrantët tanë, të cilët dëshirojnë të kthehen dhe të investojnë këtu te ne, me çka do të ndihmojmë që t’i mbajmë të rinjtë të mos e braktisin vendin”, ka thënë Selmani. Para të pranishmive u prezantuan edhe bartësi i njësisë zgjedhore në njësinë e pestë zgjedhore Kushtrim Murtishi dhe kandidati për deputet, Abdulla Qazimovski.