Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 14:01

Uashington – I uroj qytetarët e Republikës së Maqedonisë për zgjedhjet që ishin kompetitive, transparente, të zbatuara mirë, në të cilat njerëzit dolën në numër të madh, qenë paqëdashës dhe dinjitozë. Cilësia e këtyre zgjedhjeve në Republikën e Maqedonisë është pa precedent, ka thënë zëvendës ndihmës-sekretari shtetëror amerikan për Evropë dhe Euroazi, Tomas Kantrimen në deklaratë për Zërin e Amerikës.

Ai thotë se OSBE ka identifikuar probleme të caktuara. “Prioritet për qeverinë e ardhshme është të përballet me ato çështje, ashtu që zgjedhjet e ardhshme do të mund të ishin edhe më të mira”, tha Kantrimen.

Mbyllja e çështjes për emrin me Greqinë, reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe zbatimi i mëtutjeshëm i Marrëveshejs së Ohrit për të, janë detyrat kryesore që qëndrojnë para qeverisë së Maqedonisë.

“Absolutisht besojmë se kjo është koha e vërtetë, menjëherë pasi që të formohet qeveria e re, të rrumbullakësohet diskutimi me Greqinë për emrin e Maqedonisë. Mendojmë se ajo është shumë afër, dhe mund të bëhet – pas zgjedhjeve është shumë më mirë të bëhet diçka e këtillë se sa para zgjedhjeve. Me padurim presim që ajo të zgjidhet, me qëllim që Maqedonia të vazhdojë në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së”, ka thënë diplomati i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai është i mendimit se për qeverinë e re është me rëndësi të kapet me disa nga çështjet që i identifikoi Bashkimi Evropian si prioritete në rrugën e inkuadrimit. “Këtu bëjnë pjesë sundimi i së drejtës, pavarësia e gjyqësisë dhe liria e mediumeve. Këto janë çështje kyçe nëse Maqedonia dëshiron t’i përmbushë standardet e BE-së”, thotë Kantrimen.

Duke pasur parasysh se këtë vit shënohet 10-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, ai mendon se nevojitet zbatim i sinqertë dhe vendimtar i dispozitave të saj, në mënyrë që t’u ofrohet ndjenja të gjithë qytetarëve të Maqedonisë se janë pjesë e vendit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Duke folur për rajonin në tërësi, Kantrimen nënvizoi se i tërë integrimi i rajonit në BE dhe në NATO edhe më tej është angazhimi numër një për qeverinë amerikane. Arrestimi dhe ekstradimi i Ratko Mlladiqit në Hagë është një hap i madh jo vetëm për Serbinë, por edhe për rajonin në drejtim të ujërave më të qeta”, tha Kantrimen. Statusi i Kosovës është përfundimtar, si dhe kufijtë e saj. Thotë, hapja e mundshme e sërishme e asaj çështjeje është e rrezikshme për rajonin, sepse vetëm do t’i ndezë pasionet nacionaliste. Sipas tij, nuk ka shtete monoetnike në rajon dhe beson fuqishëm në shoqëritë e atjeshme shumëetnike si pjesë të ardhshme të BE-së dhe NATO-s.