Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 08:53

Shkup – “Me mbi 55 vende të deputetëve në këto zgjedhje fitoi VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë”, fituan reformat. Kjo fitore ka peshë të veçantë pasi që është fituar në kushte të krizës ekonomike”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në konferencën e parë për shtyp, në të cilën e publikoi fitoren zgjedhore.

Ai vlerësoi se zgjedhjet kaluan në atmosferë korrekte dhe demokratike, për të cilën meritorë janë të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

“Sot patëm festë të demokracisë në Republikën e Maqedonisë për këtë sukses të madh dhe të gjitha partive politike. Me kënaqësi mund të publikoj se nga rezultatet e deritanishme fituese e këtyre zgjedhjeve është VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni ‘Për një Maqedoni më të mirë’”, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së.

Sipas tij, kjo fitore është përgjegjësi akoma më e madhe nga të gjitha zgjedhjet e deritanishme. “Ne do ta japim maksimumin që t’i plotësojmë premtimet e dhëna nga programi. Që nesër për ne vazhdon obligimi të japim gjithçka që t’ju ndihmojmë qytetarëve të Maqedonisë, pavarësisht se për kë e kanë dhënë votën”, theksoi Gruevski.

Qytetarët e Maqedonisë në këto zgjedhje, siç tha, i njohën standardet e reja në politikë – e politikanëve të rinj e të ndershëm, standardet të cilat i vendosi VMRO-DPMNE.