Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 10:13

Gostivar – Ambasadorja e Holandës, Simone Filipini ka realizuar takim me gratë e rajonit të Gostivarit në kuadër të fushatës “Zgjedhje korrekte”. Sipas saj, ditën e diel do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike, të cilat do t’i mundësojnë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë të votojnë ashtu siç dëshirojnë ata.

“E di që në disa pjesë të Maqedonisë gratë kanë vështirësi që në mënyrë të lirë ta japin votën e tyre. E vizitova edhe fshatin Vrapçisht dhe gratë e atjeshme u ankuan për presione. Nuk e di nëse kjo është e vërtetë ose jo, por duhet t’i kushtohet vëmendje, dhe Qeveria t’i parandalojë paraqitjet e tilla. Në të kundërtën, kjo nuk do të jetë një rezultat pozitiv në këto zgjedhje”, ka thënë Filipini në takimin me gratë turke në Gostivar. Ajo ka vlerësuar se vijimi i deritanishëm i fushatës po zhvillohet shumë mirë.

“Kryesorja është se deri tani është qetë”, është përgjigjur Filipini në pyetjen e gazetarëve. Ambasadorja holandeze deri tani ka ndjekur tre procese zgjedhore në Maqedoni dhe konsideron se këtë vit aktivitetet zgjedhore po shkojnë në të mirë.