Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 08:58

Gostivar – “Zgjedhjet e 5 qershorit do të jenë referendum që të hymë në dekadën e dytë të ekzistimit dhe realizimin e të drejtave të shqiptarëve”. Me këto fjalë Ali Ahmeti, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim i ftoi gostivarasit të votojnë për partinë, e cila siç tha i realizon premtimet.

“Ne nuk kthehemi prapa, por ecim përpara dhe vetëm kështu do të sigurojmë stabilitet dhe prosperitet për të gjithë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për maqedonasit, turqit, boshnjakët”, tha Ahmeti.

Duke folur për proceset integruese të Maqedonisë, ai theksoi se duhet sa më shpejt të hapet hapi së bashku me vendet e tjera të rajonit, të hymë në NATO dhe të fillohet me negociatat për anëtarësim në BE.

Ahmeti i ftoi gostivarasit të votojnë për më të mirët sepse, siç tha, ata kanë lënë gjurmë për gjeneratat e ardhshme.

“Ju e dini se kush ishin ata të cilët e ndryshuan Kushtetutën, kur të gjithë thonin se është libër i shenjtë dhe cilët ishin patriotët që i morën punët në duart e tyre dhe sollën universitet, përdorim të gjuhës shqipe, muze të alfabetit dhe historisë, përmendoren e Skenderbeut. Të gjithë të cilët nuk besojnë, le ta kthejnë kokë prapa dhe le të shojin dhe atëherë do t’i pranojmë në familjen tonë”, tha Ahmeti.

Nga foltorja u drejtuan edhe kandidatët për deputetë, Nexhati Jakupi, Adnan Jashari, Talat Xhaferi, Nevzat Bejta dhe Teuta Arifi.

Ata në fjalimet e tyre numëruan disa projekte të cilat i kanë realizuar në këtë rajon, si fillimin e punëve të stacionit filtrues në Gostivar, institucionalizimin e gjuhës shqipe, punësimin e mbi tetë mijë shqiptarëve në administratën shtetërore dhe institucionet.