Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 14:11

Shkup – Fushata parazgjedhore ka qenë e tensionuar te blloku maqedonas, ndërsa për herë të parë konstatohet se marrëdhëniet mes subjekteve politike shqiptare dhe në raport me mediet ishin më të hapura.

Mediet shqiptare kësaj radhe janë lavdëruar në krahasim me ata maqedonase. Ka qenë ky konstatimi i përbashkët që doli nga raporti i dytë nga monitorimi i fushatës zgjedhore, punës së administratës zgjedhore dhe raportit nga monitorimi i mediumeve të cilat janë pjesë e projektit “Zgjedhja ime 2011″, të cilin e kanë hartuar  Qendra e Maqedonisë për bashkëpunim ndërkombëtar (QMBN), Instituti për demokraci (IDSCS) dhe Instituti i Maqedonisë për mediume (IMM).

Vlladimir Misev, drejtor ekzekutiv i QMBN ka thënë se jehona e votuesve në mbi 63.48 për qind dëshmon për kapacitet demokratike për t’u realizuar ky proces, ndërsa nuk nguroi të kritikojë presionet politike që i janë bërë Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). “KSHZ-ja funksionoi në mënyrë publike dhe transparente, gjithsesi mbetet konstatimi se KSHZ-ja në punën e saj ishte e ekspozuar nën presionet e anës së partive politike.

Fushata u realizua në atmosferë të qetë dhe demokratike. Sipas raporteve financuese të fushatëstë mjetet e përgjithshme të koalicionit të VMRO-DPMNE-së ishin mbi 4 milionë euro derisa ato të LSDM-së mbi 280 mijë euro”, ka thënë Misev.

Ndërkohë, BDI gjatë fushatës ka harxhuar mbi 118 mijë euro, derisa PDSH-ja rreth 45 mijë euro. Nga ana tjetër, Petrit Saraçini nga Institutit i Maqedonisë për mediume (IMM) ka thënë se për herë të parë është konstatuar një hapërim pozitiv te pjesa më e madhe e subjekteve politike shqiptare për sa i përket marrëdhënieve të tyre të ndërsjella dhe marrëdhëniet të cilat i kanë me mediet dhe gazetarët.

“Sa i përket medieve shqiptare, mund të konstatojmë po ashtu se vërtetë kësaj radhe bëhet fjalë për ndoshta pikën më të shndritshme të zgjedhjeve parlamentare të 2011”, ka thënë Saraçini.