Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 08:47

Shkup – Lideri i LSDM-së opozitare, Branko Cërvenkovski, mbrëmë gjatë fjalimit në selinë e partisë, i dërgoi urime kryetarit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski për rezultatin e arritur zgjedhor, siç tha, edhe përkundër të gjitha ngjarjeve në periudhën e kaluar.

Cërvenkovski, i cili fjalimin e filloi me fjalinë “Populli është çdo herë në të drejtë, madje edhe kur gabon”, i uroi të gjithë qytetarët, të cilët dolën në zgjedhjet e djeshme të parakohshme parlamentare, e posaçërisht ata që besimin ia dhanë LSDM-së.

“Beteja vazhdon. Nëse patë se çka mund të bëjmë me 18 deputetë, mund të paramendoni se çka do të bëjmë me 43″, theksoi Cërvenkovski dhe shtoi se LSDM nuk ndalon këtu dhe se garanton se koha e kësaj partie po vjen.

Falënderime dhe urime për qytetarët, për pjesëmarrjen, bëri edhe kandidatja për kryeministre nga LSDM-ja, Radmilla Shekerinska. Në urimin për fitoren e VMRO-DPMNE-së, ajo shfaqi bindje se është fitore e Pirros.

“Betejën tonë do të vazhdojmë ta udhëheqim tani si opozitë mjaft konstruktive”, tha Shekerinska.

Ajo vlerësoi se rezultatet zgjedhore të LSDM-së i japin mandat në Kuvend të tregojë se pushteti tashmë nuk do të mund të sundojë si deri më tani.