Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 13:54

Shkup – Ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Maqedoni, Filip Riker dhe Peter Sorensen, i inkurajojnë qytetarët që në zgjedhjet e nesërme ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të mos frikësohen të votojnë sipas bindjes së tyre, për shkak se votimi është i fshehtë.

“Këto janë zgjedhje të rëndësishme për Republikën e Maqedonisë dhe do doja t’in nxisë qytetarët të dalin dhe të votojnë. U bëj thirrje të mosë frikësohen nga kurrfarë frikësimesh dhe dhune dhe të dinë se votën që do ta japin është e fshehtë. Dëshiroj të keni zgjedhje të drejta, korrekte dhe demokratike çfarë i ngjajnë një shteti demokrtatik”, porositi ambasadori Riker në konferencën e sotme të MOST-it.

Ai theksoi se ndjehet i kënaqur që SHBA dhe USAID sërish e mbështesin Asociacionin qytetar i cili e mbuloi fushatën parazgjedhore, dhe do t’i mbulojë edhe zgjedhjet, dhe njëherit iu falenderua vullnetarëve të MOST-it për angazhimin e tyre.

Ambasadori Sorensen tha se është tejet me rëndësi të ketë vëzhgues vendor në zgjedhje që të sigurohet transparencë në tërë procesin parazgjedhor dhe zgjedhor dhe shtoi se ka nder që e mbështesin AQ MOST i cili në proceset zgjedhore paraprake i ka dëshmuar cilësitë e veta.

“Jemi të bindur se Maqedonia ka kapacitet të zbatojë zgjedhje të drejta, korrekte, demokratike dhe të lira pa dhunë dhe incidente. Dilni në zgjedhje dhe votoni, mos u frikësoni nga kurrfarë kërcënimesh dhe frikësimesh dhe tregoni se vlen parimi një njeri, një votë, një zgjidhje”, i porositi ambasadori Sorensen votuesit.

Ai theksoi se mbajtja e zgjedhjeve në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare janë kritere politike kyçe për perspektivën evropiane të Maqedonisë.

“OSBE dhe MOST kanë vëzhgues të vet në zgjedhjet dhe në rast se vjen në çfarëdo incidentesh dini ku të drejtoheni. Presim që organet shtetërore në afat të arsyeshëm dhe me kohë të hetojnë në rast se ka thënie për çfarëdo incidentesh. Shpresoj se axhenda evropiane do të jetë prioritet dhe e Qeverisë së re dhe pres bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen”, porositi Sorensen.