Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 07:08

Shkup – Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk do të bëjë koalicion as me Menduh Thaçin e as me Rufi Osmanin, bënë të ditur për Portalin Lajmeshqip.com burime brenda kësaj partie.

Në qeverinë e re ajo mëton të hyjë vetëm. BDI e para ka thyer akullin, ka folur për qeverinë e re. Ata kanë hedhur poshtë ndonjë koalicionim me partitë opozitare shqiptare. “Ne jemi fitues absolut dhe të vetëm do hyjmë në zgjedhje”, kanë thënë në partinë e Ahmetit.

”Për fat të keq, ne nuk kemi me kë të bisedojmë, pasi që jemi fitues absolut. Ne ftuam para zgjedhjeve shqiptarët të votojnë dhe të koncentrohet vota shqiptare dhe ashtu ndodhi. BDI është fitues absolut. Mendoj se partitë tjera politike do jenë opozitë konstruktive. Ne ende nuk kemi kontaktuar me asnjë parti politike rreth formimit të qeverisë së re”, ka thënë Abdilaqim Ademi nga BDI.

Në partinë e Ahmetit, madje nuk dëshirojnë asgjë të komentojnë më tepër për planet e tyre. Thonë se ende është herët dhe se deklarata e sekretarit të partisë Ademi është edhe qëndrim partiak. Me deklaratën e Ademit se BDI nuk dëshiron qeverinë ta ndajë as me PDSH-në e Thaçit e as me RDK-në e Osmanit, kanë rënë në ujë spekulimet e liferuara nga qarqe të caktuara për koalicion të zgjeruar të të gjitha partive shqiptare plus LSDM. Edhe në VMRO thonë se është herët për çfarëdo negociatash për përbërjen e re parlamentare, dhe se gjitha informatat nga dy partitë  ende mbahen në fshehtësi.