Lajme Shqip Sunday, 05 June 2011 14:26

Zajaz – Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sot e shfrytëzoi të drejtën e vet të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe votoi në vendvotimin numër 0816 në SHF “Xhuma” në Zajaz.

“Do të dëshiroja që ky proces të zhvillohet në atmosferë demokratike. Qytetarët të dalin në votim dhe në mënyrë të qetë ta realizojnë të drejtën e tyre demokratike, përkatësisht të votojnë për ata për të cilët mendojnë se do t’i mbrojnë më së miri interesat e veta”, deklaroi Ahmeti pas votimit.

Procesin e deritanishëm të votimit ai e vlerësoi me, siç theksoi, dhjetë të pastër.

“Në tërë shtetin deri në këtë moment procesi zgjedhor po zhvillohet krejtësisht normalisht. Do të dëshiroja ashtu edhe të vazhdojë deri në orën 19 kur edhe do të përfundojë votimi. Shpresoj se të gjithë faktorët në këto zgjedhje do ta pranojnë vullnetin e votuesve”, theksoi Ahmeti.