Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 08:53

Shkup – Jemi të përcaktuar fuqimisht për paqen, për marrëdhënie të fuqishme ndëretnike, duam që vendi ynë sa më parë të anëtarësohet në BE dhe NATO dhe dëshirojmë zgjidhje sa më të shpejtë të emrit, tha lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mbrëmë para simpatizantëve të shumtë në tubimin e mbajtur në sheshin “Skënderbe” të Shkupit.

Ahmeti i siguroi qytetarët se ai dhe partia e tij do të investojnë dhe do të angazhohen që vendi sa më parë të rreshtohet në strukturat euroatlantike.

“Ne jemi njerëz të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm dhe nuk veprojmë me eufori, duam zgjidhje të drejta, duam që vendi ynë të mos vonohet në drejtim të anëtarësimit në NATO, përmendoret dhe shtatoret le t’i lejmë për më vonë, të gjykojmë drejt sepse paqja, siguria dhe stabiliteti janë vlera të çmueshme dhe prandaj nuk duhet të vonohemi në drejtim të zgjidhjes së emrit”, theksoi kreu i partisë Ahmeti.

Lideri i BDI-së njëherit shtoi se jo të gjitha vendet e rajonit janë të lumtura që Maqedonia të rreshtohet pranë 26 vendeve të NATO-s dhe ju  bëri thirrje politikanëve që të kenë guxim të marrin vendime të guximshme.

“Dua t’ua bëj me dije qytetarëve të Maqedonisë se jo të gjitha vendet e rajonit janë të lumtur që Maqedonia të rreshtohet pranë 26 vendeve të NATO-s, jo të gjithë janë të lumtur Maqedonia të jetë pjesë e Evropës së bashkuar, por të gjithë politikanët duhet të kenë guxim që për vepra të mëdha të marrin vendime të guximshme. Një nga ato subjekte të guximshme është pikërisht BDI i cili i inkurajon të gjitha subjektet politike se tani është koha të mos bëhen provokime por të zgjedhim problemet me të cilat jemi ballafaquar”, shtoi Ahmeti.

Izet Mexhiti bartësi i listës një njësinë e parë zgjedhore paralajmëroi se në një datë tejet të veçantë për shqiptarët do të fillojnë punimet në sheshin Skënderbeu.

“Punët e mëdha vijnë në ditë të mëdha. Më 28 nëntor do t’i fillojmë punimet në këtë shesh për të cilin shqiptarët kanë nevojë. Nëse deri dje në Shkup kemi protestuar që fëmijët tanë të regjistrohen në shkollat e mesme kjo kohë ka përfunduar. Shqiptarët në Shkup mund të regjistrohen jo në tre drejtime, por në të gjitha 23 drejtimet që ekzistojnë. Nëse ky shtet në Ish Jugosllavia kanë punuar për të zhveshur Shkupin nga çdo element shqiptar, lufta e vitit 2001, vizioni i BDI-së e bëri Shkupin që të flasë shqip, dhe në Shkup mund të shihet përmendorja e Skënderbeut, Universiteti i Tetovës, Muzeu i lirisë”, deklaroi Mexhiti.

Ermira Mehmeti-Devaja bartëse e listës në njësinë zgjedhore numër dy, tha se vota e qytetarëve për BDI-në në zgjedhjet e pesë qershorit, do t’i deklasojë të gjithë ata të cilët i parashikuan humbjen kësaj partie, e cila siç tha, është vullkan që nuk ndalet dhe forcë që nuk mposhtet.

Bartësi i listës në njësinë e tretë zgjedhore Bujar Osmani tha se sa herë që do të përmendet 81-shi që vuri themelet e lirisë, sa herë që do të përmendet 91-shi që solli demokracinë, sa herë që do të përmendet viti 2001 si vit i lavdisë, 2011-shi do të përmendet si vit i bashkimit të atyre që me shekuj ishin të ndarë. Ai ju bëri thirrje që më pesë qershor të votojnë BDI-në sepse ajo ka siguruar jetë më të mirë për qytetarët.

Para simpatizantëve u drejtuan edhe Kryetari i Lidhjes së Boshnjakëve, Rafet Muminoviq si dhe shefi i Shtabit zgjedhor të Çairit, Bekim Neziri.

Sportisti i shekullit në Maqedoni dhe kampioni i shumëfishtë, mundësi Shaban Tërstena, liderit të BDI-së Ali Ahmeti, apo siç e quajti komandantit të lirisë dhe paqes i dhuroi Pllaketën e Artë të fituar në Lojërat Plimpike në Los-Anxhelos.