Lajme Shqip Sunday, 05 June 2011 22:18

Tetovë - Shefi i shtabit zgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim Abdilaqim Ademi tha se prej rezultateve që kanë ardhur deri tani, për momentin nuk mund të jepen informata konkrete, pasi që akoma nuk janë përpunuar të njëjtat.

“Ajo që mund të vërehet është se ka rezultate pozitive për Bashkimin Demokratik për Integrim, veçanërisht mund ta theksoj fitoren e BDI-së në qytetin e Gostivarit dhe në komunën e Vrapçishtit, ku konsiderohej se do të fitojë RDK-ja, mirëpo mund të them se ne atje jemi bindshëm fitues. Kjo do të thotë se dalangadalë ne po e kthejmë besimin nga viti 2009 në këtë zonë. Ajo që mund ta përmend këtu është edhe fitorja e bindshme në Likovë në një raport 3:1 mbi të gjitha subjektet e tjera politike”, theksoi Ademi dhe shtoi se BDI-ja po udhëheq edhe në Kumanovë, Saraj, Çair dhe Zhelinë.

Kjo fushatë dhe këto zgjedhje, siç konstatoi, dallojnë shumë nga zgjedhjet e kaluara, si nga fushata që u zhvillua, ashtu edhe nga procesi zgjedhor, prandaj simpatizantët nuk kanë filluar të festojnë pa rezultate konkrete dhe nuk do të shpallin fitore pa u shpallur rezultatet konkrete nga organet kompetente.
Sipas Ademit, jehona e votuesve në njësinë e gjashtë zgjedhore në këto zgjedhje ka qenë pak më e vogël, sepse historikisht dalja në këtë njësi gjithmonë është më e ulët se në njësitë e tjera. Numri i votuesve në këtë njësi zgjedhore është në limitin e asaj që lejon ligji, plus/minus pesë për qind, ngaqë popullata në këtë njësi zgjedhore jeton jashtë vendit.

Lidhur me faktin se shqiptarët mbeten pa deputet nga diaspora, Ademi tha se votimi i diasporës është përvojë e re për të gjitha subjektet politike dhe këtu ka ndihmuar mosinformimi i mirë dhe mosorganizimi i mirë edhe i subjekteve politike, edhe i qytetarëve të Maqedonisë në diasporë. Sipas tij, kjo duhet të jetë përvojë për subjektet politike që në zgjedhjet e ardhshme të organizohen më mirë.