Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 07:30

Shkup – Përkundër rezultateve jozyrtare të shpallura nga ana e partive dhe rezultateve preliminare nga KQZ-ja të cilat nxjerrin fitues VMRO-DPMNE-në në bllokun politik maqedonas, kurse BDI-në në bllokun shqiptar, në press-konferencat e tyre fituesit nuk u uruan mes vete, edhe pse ishin bashkëpjesëmarrës në koalicion.

DPMNE së pari çmoi suksesin e PDSH-së në këto zgjedhje, kurse LSDM fitoren e BDI-së. Lojës me llafe që si duket bëhet në funksion të pazarllëqeve politike paszgjedhore, pikë i vendosi lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, i cili sinqerisht ia uroi fitoren oponentit politik BDI-së.

Sipas përllogaritjeve të para që publikoi organizata MOST nga njësitë zgjedhore numri i deputetëve shqiptarë del vetëm 24. Të ndarë në parti ata janë: 14 për BDI-në, 8 PDSH dhe 2 për RDK.

Në njësinë zgjedhore numër 6 ku dalin më shumë deputetë shqiptarë këtë herë kanë dalë gjithsej 6 deputetë joshqiptarë, përkatësisht tre të LSDM-së dhe 3 për koalicionin e DPMNE-së.