Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 17:38

Shkodër – 65-vjetori i lindjes së shkrimtarit të njohur, Zija Çela, mblodhi në mjediset e bibliotekes së Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, pedagogë e studentë, drejtues të qeverisjes vendore etj. Në aktivitetin e organizuar në bashkëpunim me bashkinë e Shkodrës, e pranishme ishte edhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila shoqërohej edhe deputetët e qarkut Shkodër.
    

Aktiviteti kishte në qëndër të vemendjen promovimin e librit më të fundit të shkrimtarit Zija Çela, “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”. Pas fjalës së hapjes nga Prof.as.dr. Ledri Kurti, rreth librit kanë diskutuar edhe pedagogët, Doktorant Arben Prendi, Prof. dr. Fatbardha Hoxha, Prof. dr. Alfred Çapaliku, Ma. Ermira Alia.    

“Aktiviteti ishte një ceremoni e veçantë, prekëse, një nderim që qyteti i bën përmes vepres së tij, Zija Çeles”, u shpreh Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, në mbyllje të takimit, duke theksuar se Zija Çela ka shpërthyer kufijtë e qytetit e të Shqipërisë.

“Përtej asaj që shkruan, përtej gërmave që lexuesit lexojnë në veprat e tij, ku në fakt secili prej nesh lexon një thirrmë, një klithmë, nganjëhere duket se mendimi i tij, apo dashuria e tij që shpërthen përmes dhimbjes në atë që nuk lexohet, përtej asaj që janë gërmat e zeza si një lloj piste, një ftesë për çdo shqiptar që të duan, të rrokin, të përqafojnë, të komunikojnë, sepse dashuria është gjëja më e jashtëzakonshme e kësaj bote dhe mënyra qe Zija Çela e përcjell atë është diçka shumë e veçantë”, u shpreh Topalli.    

“Në 1971, mësuesi shkodran i Hasit, Zija Çela, botoi librin me tregime “Yjet mbi lumë”. Mbresat e mija si student i filologjikut i botova tek “Bashkimi” i 4 dhjetorit të atij viti”, theksoi në fjalën e tij, Prof. Dr. Alfred Çapaliku, duke i kujtuar me shumë emocion ato rreshta që kishte shkruar për shkrimtarin Çela.

Më pas duke vënë në duke se kishte 40 vite që i ruante në arkivin e tij, një kopje të saj pati kënaqësinë t’ia dorëzojë në sallë shkrimtarit shkodran, të cilin ai e kishte pasur idhull që në student.  Çapaliku shtoi se “katër dekada larg nga “Yjet mbi lumë”, tek “Apokalipsi i shën Tiranës”, kemi një shkrimtar profesionist me bagazhin e 21 veprave mozaik”.      

Autori Zija Çela falënderoi të gjithë të pranishmit dhe në veçanti Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë,  Jozefina Topalli. Shkrimtari vlerësoi elitën kulturore të Shkodrës dhe me mjaft emocione ai solli fakte nga jeta e tij që e lidhin me këtë qytet.     

Shkrimtari Zija Çela lindi në qytetin e Shkodrës e pasi përfundoi studimet e larta në degën e gjuhës dhe të letërsisë në UT për një periudhë disavjeçare ushtroi profesionin e mësuesit në rrethin e Kukësit. Për shumë vite ishte kryeredaktor i së gazetës “Drita”, ndërkohë që pas vitit 1990, fillimisht drejtoi shtëpinë botuese të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve dhe më pas, prej disa vitesh, vijon punën si krijues i lirë dhe si gazetar në disa të përditshme jopublike, kryesisht si redaktor i faqeve kulturore.