Lajme Shqip Friday, 30 November 2012 14:51

Prishtinë – Artisti mitrovicas, Tafil Peci, ka marrë çmimin e parë me punimin në grafikë “Xhamadani i Isa Boletinit”, në ekspozitën gjithëkombëtare “Kadri Kadriu”, që është hapur në Mitrovicë në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Peci ka marrë këtë çmim në një konkurrencë të fortë, ku kanë marrë pjesë 40 krijues të artit pamor nga komuna të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Në hapje të ekspozitës në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, Skënder Idrizi në emër të jurisë profesionale, e cila përbëhej edhe prej Nagip Berishës e Shefqet Abrazhdës, i përshëndeti të pranishmit dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e madhe.

“Gjithë këto piktura, grafika e skulptura që u ekspozuan këtu na japin të kuptojmë se kemi krijues të artit që dëshmohen me shumëllojshmëri temash e mjeshtri pune artistike”, tha ai, bëri të ditur sot zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur 2 javë.(LajmeShqip.com)