Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 17:34

Vushtrri – Për dy ditë me radhë qyteti i Vushtrrisë është nikoqir i manifestimit letrar të poezisë për femrat krijuese shqiptare “Takimet e poeteshave shqiptare”, që tradicionalisht mbahet për të 29-tën herë, njoftojnë mediat kosovare.

Sipas zyrtarëve komunal të kulturës në Vushtrri, në këtë manifestim pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar jo vetëm poetet nga Kosova, por edhe nga vendet e rajonit dhe nga disa vende të Evropës Perëndimore, duke përfshirë këtu shtete si Maqedonia, Serbia (Presheva), Italia dhe Gjermania.

“Nga 83 poezitë e arritura në konkurs, juria ka përzgjedhur 31 poezi për orën e madhe letrare, si dhe 15 poezi të tjera për orën letrare te sheshi ‘Adem Jashari’”, tha Qamil Sahiti, drejtor i kulturës në administratën lokale të Vushtrrisë.

Përveç orës letrare që mbahet në ditën e parë të manifestimit, ku poeteshat do të konkurrojnë për tri çmime të festivalit, për këtë takim organizatori ka paraparë ta zhvendosë manifestimin edhe në ambiente të hapura në bjeshkët e Çyçavicës.