Lajme Shqip Saturday, 02 June 2012 18:14

Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë duke ju shtuar stendave të librarive në kryeqytet. 

“Gati për rinisje” nga Monika Stafa. Libri i gazetares është një përmbledhje e reportazheve, përshkrimeve e mbresa udhëtimesh të autores. “Që në krye të herës e shoh të udhës të vë në dukje se reportazhet e gazetares historiane, Monika Shoshori Stafa, paraqiten, në mos si risi, si pasurim i formave të pasqyrimit publicistik në gazetarinë tonë. Ndihet kështu kritika e tërthortë, më saktë e nëntekstuar, për lënien në harresë të këtij zhanri gazetaresk, aq të rralluar në mediat e printuara të Shqipërisë të periudhës së tranzicionit demokratik”, shkruan Hamit Boriçi në parathënien e librit. Libri është një botim i shtëpisë botuese “OMSCA-1″ dhe kushton 800 lekë.

“Publikja shqiptare”. Janë plot 12 ese kritike, të shkruara nga 12 personalitete të kulturës dhe të mendimit shqiptar, të cilët duke marrë në shqyrtim elementet filozofikë, politikë, nacionalistë e gjuhësorë, na sjellin në vëmendje çështjen kombëtare. Çështja shqiptare dhe shqiptarët 100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. A është mbyllur kjo çështje? A kemi sot një komb shqiptar? Pse flitet për “Shqipërinë e Madhe”? Libri është një botim i “Saras dhe kushton” 600 lekë. (LajmeShqip.com)