Lajme Shqip e Premte, 29 Qershor 2012 21:17

Tiranë – Në një prononcim për portalin LajmeShqip.com, Presidente e “Opéra sans Frontières” Zvicer, Edlira Dedja shprehet se për tenorin shqiptar, kjo eksperiencë e re dhe e jashtëzakonshme, kaloi me sukses të madh, shoqeruar me ovacione nga publiku kozmopolit si dhe me vlerësimet më të larta të kritikës dhe shtypit italian.

“Zotërues në skenë, me një vokal të bukur edhe ekspresiv, me nuanca të holla muzikore e me një diksion të përsosur, i cili kapërcente edhe distancën e madhe me spektatorët, me elegancën e përsosur të stilit moxartian, ku ndërthureshin frazat e gjata legato dhe axhiliteti i epokës, Saimir Pirgu mund të quhej pa frikë edhe ylli i mbrëmjes”, shprehet Dedja.

Sipas saj, në krah të basit Ildenbrando d’Arcangelo, që konsiderohet si interpretuesi më i mirë i rolit të Don Giovanit, tenori shqiptar Saimir Pirgu morri maksimumin e vlerësimeve nga mediat dhe kritika, duke u konsideruar si zbulimi i këtij sezoni. Kësaj here nën firmën e Franco Zeffirelli, sipas shtypit italian, “Don Giovanni” është një eveniment artistik i veçantë, pasi vihet në skenë për herë të parë në një anfiteatër romak, duke u ndeshur me veçoritë e akustikës së një skene të hapur dhe me vështirësitë komplekse që ajo paraqet për muzikën e kryeveprës moxartiane. Një opera superklasike. Kështu e ka cilësuar Zeffirelli veprën që sipas Edlira Dedjës, u prit në skenë me emocion nga publiku, në fund të shfaqjes.

Ndër shkrimet për premierën e “Don Giovanni”, pianistja Edlira Dedja citon një paragraf të Cesare Galla-s, në “Arena.it”, kushtuar tenorit shqiptar Saimir Pirgu.
“Ky rol (Ottavio), që në më të shumtën e rasteve është bërë zakon të kritikohet, në fakt është shumë i vështirë. I ballafaquar me elegancë e siguri të rrallë, roli i Ottavios bëhet gati një zbulim i ri për spektatorin, pasi tenori Saimir Pirgu e vesh personazhin e ‘të dashuruarit’ me muzikalitet dhe teatralitet skenik, krejt ndryshe nga ç’është interpretuar e konsideruar më parë. Tetë minuta duartrokitje me ovacione e kanë shoqëruar fundin e aries së tij…. “, shkruhen në “Arena.it”. Për tenorin shqiptar 26 vjeçar me famë botërore. Saimir Pirgu, axhenda e ngjeshur vazhdon edhe gjatë verës.

Këto ditë, ai do të këndojë nën bagetën e Nikolaus Hamoncourt-it në “Styriarte Festival” në Graz të Austrisë, i cili do të transmetohet live nga televizioni austriak ORF III, mbrëmjen e ditës së shtunë.  Në muajin gusht, Pirgu do të interpretojë nën bagetën e Riccardo Muti-it në Festivalin e Salisburgut e më pas në Buenos Aires, në operën e San Francisco, në operat shtetërore të Vienës, Mynihut, Zurih-ut, etj. Por, produksionet e rëndësishme për të nuk kanë fund. Kësaj here na bën krenar në një produksion të ri të operës “La Traviata”.

I zgjedhur përsëri prej Placido Domingos, tenori Saimir Pirgu do të interpretojë rolin e Alfredos, në krah të Domingos që kësaj here do të këndojë si baryton, pikërisht në Metropolitan Opera të New Yorkut, ku tre vjet më parë debutoi me rolin e Rinuncios në “Gianni Scchichi” të Pucinit, nën regjinë e Woody Allen. E më pas projektet e tij vazhdon me të tjera kryevepra si, “Rigoleto” në  “Royal Opera House Covent Garden” në Londër dhe Zvicër. “L’Elisire d’Amore” në Vjenëm “Makbeth” në Firence, “Bohem” në Ëashington, “Don Giovanni” në Moskë, etj.

Saimir Pirgu ishte fituesi i Çmimit Kult i këtij viti, për interpretimin e tij në operën “Vuajtjet e djaloshit Verter”. Tenori ja dhuroi paratë e fituara nga ky çmim, 1000 Euro, Institutit Shqiptar te Integrimit te Jetimeve. Ky fakt konfirmohet për ATSH-në nga drejtori i këtij instituti, Ilir Cumani. (LajmeShqip.com)