|
|
e Shtunë, 28 Korrik 2012 13:50 Ohër – Në kuadër të festivalit “Vera e Ohrit”, në ambientet e kishës mesjetare “Shën Sofia” në Ohër, mbrëmje koncertale do të ketë pianisti shqiptar nga Maqedonia, Dino Imeri, për të cilin opinioni shqiptar shumë pak është i njohur.
Në shënimet biografike të tij, mes tjerash shkruan: Dino Imeri (1990) është një nga pianistët më të vlerësuar të Maqedonisë nga brezi i ri. Ai është pasardhës dhe pjesëtar i një prej familjeve më të vjetra muzikore dhe që në moshë të re ai filloi të luajë dhe të studiojë për piano. Ai përfundoi shkollimin e tij në shkollën e ulët dhe të mesme të muzikës “Ilija Nikollovski-Luj” në vitin 2008 në klasën e prof. Ludmilla Romanova, ndërsa studimet i vazhdoi në Akademinë e Muzikës, në Shkup, në klasën e prof. të nderuar Boris Romanov.
Është një pianist i talentuar ndaj dhe është bërë pjesë e pandarë e Filharmonisë së së Maqedonisë, ndërsa është prezantuar edhe si solist në koncertet e tija dhe në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, përfshirë ketu edhe Interfest – Manastir, Epidaurus Festival në Cavtat – Kroaci, recital në hapjen e festivalit për Piano në Ouistreham – Francë, si dhe koncertet në Austri në sallat e njohura e të rëndësishme të muzikës klasike si: Liszt Zentrum, në koncertin “Paul Gulda Prezenton” –në vendin e lindjes së F. Liszt, ku ishin të pranishëm interpretuesit më të njohur në botë.
Në këtë mbrëmje koncertale ai do të luaj në piano veprat e Ludwig van Beethoven-it (1770-1827), Johannes Brahms (1833-1897), Moris Ravel (1875-1937) dhe të hungarezit Franz Liszt (1811-1886). (LajmeShqip.com)