Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 13:56

Tiranë – Rreth  6180 rinj do të vijojnë studimet e ciklit të parë me kohë të plotë, propozon Universiteti i Tiranës.

Sipas rektoratit të këtij universiteti, numri i pranimeve për vitin 2012-2013 nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh, me përjashtim të disa degëve.

UT i propozon Ministrisë së Arsimit që të rriten pranimet për Juridikun me 50 kuota më shumë, duke e çuar në 550 numrin total të pranimeve, e po kështu edhe për katër degët e Filologjikut.

Kërkohet që në degët Histori, Gjeografi, Gjuhë-Letërsi, vitin e ri akademik të pranohen nga 120 studentë të rinj në secilën degë, nga 100 që ka qenë kuota e sivjetshme. Për katër degët e Fakultetit të Mjekësisë, që është një ndër më të preferuarit në Universitetin e Tiranës, nuk propozohet asnjë rritje e kuotave të pranimit.

Fakultetit që do të pranojë më shumë studentë në UT, do të jetë ai i Ekonomisë, për të cilin propozohen plot 1300 kuota, bashkë me dy filialet e tij në Kukës dhe Sarandë.

Ministria e Arsimit pritet të marrë një vendim për kuotat e propozuara nga UT.