Lajme Shqip Wednesday, 21 October 2015 14:23

Nga dritaret e vagonit të fundit të trenit me ngjyrat e flamurit të Evropës shihen liderë evropianë.

 Në hekurudhë për ta zënë trenin vrapojnë dy kryepersonazhet e politikës shqiptare të viteve të fundit, Sali Berisha e Edi Rama. “Me vonesë” (Late) është pagëzuar karikatura e parë e vendosur fill pas posterit të madh me të cilin paralajmërohet ekspozita. Satira e thumbimet s’përfundojnë aty. Këtu nis dokumentimi i rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Receta evropiane” shpërfaq Berishën e Ramën tek mbajnë në duar listën e gjatë me mbishkrimin “Dialog” përderisa në “Demonstrim” bie në sy ish-zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, baronesha Catherine Ashton, tek mban duart e tyre në shenjë demonstrimi sesi duhet të pajtohen mes vete. Në një tjetër karikaturë diplomati e ish-komisari për Zgjerim, Shtefan Füle,

shihet derisa liderëve shqiptarë ua jep dhuratën e fundvitit, duke u thënë se “Këtë pako do ta merrni sivjet. Plotësoni reformat!”. Përpjekjet e politikanëve evropianë për të tërhequr politikën shqiptare drejt Evropës janë përmbledhur në ekspozitën e regjisorit, skenaristit, aktorit e karikaturistit Bujar Kapexhiu.

E titulluar “To Europe” (Në Evropë), u hap të martën mbrëma në hollin e bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”, organizuar nga fondacioni “MAPO” dhe Universiteti Evropian i Tiranës. Klasa politike në njërën anë dhe faktori ndërkombëtar, në anën tjetër, janë kryepersonazhe të mbi 40 karikaturave me ngjyra që Kapexhiu i ka nisur me laps dhe i ka finalizuar nëpërmjet kompjuterit. “To Europe” e sjell aktorin e njohur për filmat “Dy herë mat”, “I teti në bronz”, “Gjurma” e “Duel i heshtur”, për herë të parë me një ekspozitë personale në kryeqytetin e Kosovës.

Kapexhiu – i cili nga viti 1975 kishte punuar si regjisor e piktor në sektorin e filmit vizatimor për kinostudion “Shqipëria e Re ”- ka thënë se kishte nisur të realizonte karikatura 25 vjet më parë, në ditën kur triumfoi demokracia.

Pas Prishtinës “To Europe” pritet të udhëtojë drejt Gjakovës