Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 14:30

Tiranë – Komedia “Hiqe ministrin nga priza”, një performancë komike dhe satirike, u shfaq mbrëmjen e djeshme premierë në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit nga një kast aktorësh të rinj.

Nën regjinë e Arbër Jakllarit, komedia trajton sipas tij një problematikë e cila “qëndron” mjaft mirë në realitetin tonë aktual politik dhe zgjedhja e kësaj vepre nuk ka qënë rastësore.

“Duke qenë se populli ynë është mbingarkuar dhe stresuar me këtë situatë zgjedhore që po ndodh në vend do të doja që ai të vinte në shfaqje për një pastrim shpirtëror duke e parë këtë situatë nga ana komike”, tha Jakllari për ATSH-në.

Ngjarjet e komedisë së autorit Eric Idle zhvillohen në sallonin e shtëpisë së ministrit të Mbrojtjes, i cili ka rënë në koma, por e shoqja dhe dashnori i saj e mbajnë në jetë artificialisht në një inkubator për interesa politike.

Këtu fillojnë situatat komike për të vazhduar me dashnoren e ministrit që vjen në shtëpinë e tij për ta kërkuar atë, vajzën e tij që vendos të martohet me armikun më të madh të babait të saj, kryetarin e opozitës, si dhe intriga, korrupsioni, tradhtia dhe shitja e dinjitetit vetëm për të qëndruar në pushtet.

Aktorët si, Devis Muka, Ina Gjonçi, Klodjana Hoxha, Klodjana Keco, Cubi Metka, Roland Saro, Alban Musa interpretuan në një shfaqje ku pushtetarët flasin pa doreza, ku edhe pse janë në shtëpi ndahen dhe flasin si në parlament, ku pozita dhe opozita aq sa janë armiq bëhen edhe miq për interesa politike.

Regjisori tha se nuk ka përdorur modele politikanësh në shfaqje, por ka skena të cilat publikut i ngjajnë si të para dhe të dëgjuara më parë. “Politikanët i shikojmë brenda mureve të shtëpisë aty ku ata thonë të vërtetat pa doreza, krijohen situata që shkojnë deri në demaskimin e tyre dhe nxjerrin në pah se si janë në të vërtetë ata”, shprehet regjisori Jakllari.

Aktorët e rinj interpretuan në skenën e përgatitur nga skenografi Beqo Nanaj me kostume të Olsida Muratit, ndërkohë që “Hiqe ministrin nga priza” do të ketë edhe 7 takime me spektatorin në datat 3, 4, 5, 9, 10, 11, 12 qershor, ora 20:00.

Regjisori i ri Arbër Jakllari sjell ketë shfaqje pas asaj “Striptiz” në Teatrin Kombëtar.