|
|
e Diel, 01 Korrik 2012 09:49 Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë, duke ju shtuar stendave të librarive në kryeqytet. 
“Mirëmëngjes, Shqipëri” nga Vehbi Skënderi. Poeti i njohur si Sharl Bodleri i poezisë moderne shqipe, vjen tek lexuesi me një libër të ri poezish, titulluar “Mirëmëngjes, Shqipëri”, një botim me një metaforë gjithnjë e më befasuese dhe më këmbëngulëse për ta përhapur universin e bukurisë nga gjërat më të rëndomta të përditshmërisë, nga prozat më të vrazhda të jetës, deri tek dramat dhe gjëmat e së dikurshmes dhe të sotmes. Vlerësime për krijimtarinë e poetit Vehbi Skënderi japin edhe emra të njohur të poezisë shqipe. Visar Zhiti pohon se poeti Vehbi Skënderi është poeti që gjithë jetën ka ndjekur poezinë, duke i dhënë rinisë së vet urtësi plaku e tani rimerr rini. Libri është botuar nga shtëpia botuese “OMSCA-1″.
“Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, nga Ylli Polovina. Autori ka vendosur që nëpërmjet këtij libri të trajtojë më vërtetësi marrëdhëniet e Gjon Muzakës me princërit e tjerë e veçanërisht me Gjergj Kastriotin. Sipas Polovinës, testamenti nuk është thjesht një ndarje pasurie midis djemve të tij, por edhe fjala e fundit mbi Skënderbeun si një individ dhe jo i veshur me petkun e heroit. “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” rrëfen edhe një tjetër histori intersante ndodhur rreth 500 vjet nga testamenti, kërkimet që bëri regjimi komunist për gjetjen e një thesari të përfolur të lëna nga Gjon Muzaka. Libri është botuar nga “Emal” dhe kushton 800 lekë.
“Historia e arkitekturës moderne” nga Bruno Zevi. Në vëllimin e parë shkruhet për origjinën e lëvizjes moderne, periudhën e parë pioniere me Arts and Crafts dhe Art Nouveau, periudhën racionaliste, etj, ndërsa në vëllimin e dytë, historia është zgjeruar me itinerarin organik amerikan, ku shkëlqen gjenia e Frank Lloyd Wright dhe me kontributet komplekse gjuhësore të 45 vjetëve të fundit, të iniciuara nga Scharoun, Pietilä, Utzon, Gehry. Për pafundësinë e materialeve ilustruese, dy vëllimet mund të konsideroheshin edhe si “Enciklopedia e arkitekturës moderne”, sepse përfshijnë edhe të gjithë industrinë urbane, punimet e mëdha të shekullit XIX në Paris, Vjenë, etj. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Dituria”. (LajmeShqip.com)