Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 13:44

Tiranë – Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, priti sot artistin e njohur shqiptar dhe Ambasadorin e Kombit, Kledi Kadiu, i shoqëruar nga një grup produksioni të Radio Televizionit Italian RAI 5.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se gjatë këtij takimi, zv.kryeministri diskutoi mbi mundësinë e hapjes së “Shtëpisë së Shqiptarëve”, në Romë, e cila do të jetë në rolin e një qendre kulturore, e pajisur edhe me një bibliotekë për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali.

Qendra, gjithashtu, mund të shërbejë si pikë referimi për qytetarët italianë, të cilët kërkojnë të informohen mbi kulturën, historinë, artin, arkeologjinë e turizmin shqiptar.

Kryediplomati shqiptar theksoi se do të nxisë bashkëpunimin midis dy qeverive për përfundimin e bisedimeve mbi njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore për emigrantët, me qëllim që këtyre të fundit t’u njihen vitet e punës si në shtetin amë, ashtu dhe në vendet ku aktualisht punojnë.

Në takim u diskutua edhe për projekte të tjera kulturore, ku ndër të tjera, zv.kryeministri ritheksoi se një nga prioritetet e politikës së jashtme është nxitja e figurave më të njohura të diasporës për një rol më aktiv në fushat ku kontribuojnë për promovimin e vlerave kombëtare të popullit shqiptar dhe forcimin e imazhit të Shqipërisë.

Ndërsa, Kledi Kadiu vlerësoi mbështetjen e shtetit shqiptar dhe ofroi angazhimin e tij për të bërë të mundur realizimin e projekteve kulturore.

Kadiu ndodhet në Shqipëri për realizimin e një dokumentari dedikuar shkollës shqiptare të baletit dhe balerinëve të saj më të njohur, të cilët performojnë në skenat e teatrove më të shquara, jo vetëm në Itali, por në të gjithë Evropën.

Dokumentari televiziv prej 30 minutash, i cili pritet të shfaqet në vjeshtë 2011, në kanalin prestigjioz italian RAI 5, do të përcjellë një imazh pozitiv për Shqipërinë, akademinë e shkollës artistike shqiptare dhe artistëve të saj kudo ku ndodhen, tek teleshikuesit e një vendi fqinjë, në të cilin jetojnë, punojnë dhe shkollohen afro 500 mijë emigrantë shqiptarë.

Në vitin 2004 Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, e nderoi Kledi Kadiun me titullin e lartë “Ambasador i Kombit”, me motivacionin: “Për interpretimin virtuoz në artin koreografik dhe përfaqësimin me dinjitet të imazhit dhe të vlerave të Shqipërisë jashtë vendit.”