Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 18:25

Tiranë – Fundjava e artit në mjediset e Kuvendit iu dedikua kësaj here artistit Genc Mulliqi, i cili prezantoi skulptura, piktura dhe performanca të ndryshme të artit pamor.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së saj përshëndetëse, tha se në rrugëtimin artistik, Genc Mulliqi ka një projektim krejt të veçantë, në të cilin skulptori, përmes punimeve të tij përpiqet që të komunikojë jetën, të përjetshmen, realen, legjendaren.

“Genc Mulliqi është një artist shumë i veçantë, i cili komunikon përmes heshtjes, e cila flet më shumë se çdo gjë tjetër. Po të keni parë albumin e Genc Mulliqit me ciklin e krenave, do të gjejmë një lloj eposi të kreshnikëve, një lloj përjetimi që nga momenti i zanafillës dhe që, në historinë e trazuar të memories të gjithësecilit prej nesh, kërkon mistiken e krijesës”, tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi dhe dimensionin pedagogjik të piktorit Mulliqi, i cili, siç u shpreh ajo, botën e tij të një ndjeshmërie të veçantë artistike, përpiqet t’ia përcjellë nxënësve dhe studentëve.

Skulptori Mulliqi vlerësoi si një nismë shumë të bukur dhe të veçantë, nga ana e Kryetares Jozefina Topalli, fundjavën e artit në Kuvend, si një urë komunikimi njerëzor, që afron artistët me botën e politikës.

Me një krijimtari dinamike, të dimensioneve bashkëkohore, artisti Genc Mulliqi radhitet ndër emrat profesionalë dhe të suksesshëm të pikturës dhe të skulpturës, në botën e artit shqiptar.