Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 09:25

Tiranë – Projekti shqiptar për filmin artistik “Agon”, me skenar dhe regji të Robert Budinës, do të përfitojë një financim prej 140 mijë eurosh nga “Eurimage”, Fondi Europian për mbeshtetjen e bashkëprodhimeve dhe shpërndarjes së veprave krijuese kinematografike dhe audiovizuale.

Sipas një njoftimi për shtyp nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në datat 6-10 qershor në Helsink u zhvillua takimi i “Eurimage”, ku nga 47 projekte europiane për film të gjatë që kërkonin fonde për financim, u përzgjodhën 19 fitues, mes tyre projekti shqiptar për filmin e gjatë artistik, i titulluar “Agon”, i prezantuar nga shtëpia filmike ‘Erafilm’ me producente Sabina Kodra.

Projekti filmik shqiptar, i shpallur fitues me 30 pikë e me një vlerë financimi prej 140 mijë eurosh, është i dyti projekt shqiptar që fiton në ‘Eurimage’, pas atij për film të gjatë ‘Amnistia’.

Shqipëria është anëtarësuar në ‘Eurimage’ në shtator 2009, ndërkohë që financimi për realizimin e filmit “Agon” është një tjetër sukses i kinemasë shqiptare.

Projekti për filmin “Agon” është mbështetur për financim nga Këshilli i Miratimit të Projekteve pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në Qershor të vitit 2010. Ky projekt ka gjetur partnerë bashkëprodhues në Greqi, Rumani dhe Francë.

Përpara jurisë së “Eurimage” u paraqitën për mbrojtjen e këtij projekti përfaqësuesi shqiptar Artan Minarolli, përfaqësuesi grek, rumun dhe ai francez.