Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 18:26

Tiranë – Gërmimet këtë vit në Butrint janë përqendruar në Forumin Romak të qytetit antik, në afërsi të teatrit, ndërkaq arkeologët besojnë se po del në dritë një zbulim i rëndësishëm, njoftojnë mediat shqiptare.

Drejtoresha e Institutit shqiptar të Arkeologjisë, prof. Shpresa Gjongecaj, gërmimet e nisura në vendin që konsiderohet si qendra më kryesore e Butrintit, i ka parë si vazhdim të atyre të kryera një vit më parë.

“Është duke u kryer gërmimi i parë i këtij viti në bashkëpunim me Universitetin e Notredamit në SHBA dhe rezultati i tij pritet të jepet pas dy muajsh”, tha Gjongecaj.

Arkeologët shqiptarë dhe të huaj, bashkë me ta edhe studentë të disa universiteteve të huaja, vazhdojnë të kryejnë gërmime dhe kërkime në kushtet e një lagështie të jashtëzakonshme.

Herë pas here ndërprerja e gërmimeve është e detyruar nga ujërat nëntokësore, që duket se burojnë në atë vend. Arkeologët thonë se që të dalë në dritë objekti, duhet hequr uji me elektropompë dhe se e gjithë puna kryhet duke larguar ujin, qoftë edhe me kova.

Përpara arkeologëve hapet një dysheme me pllaka, që noton në ujë dhe kjo e ka vështirësuar jo pak identifikimin e saktë të këtij zbulimi.

Në pjesën e forumit romak gërmime janë kryer edhe katër vite më parë dhe që atëherë u krijua një përfytyrim tjetër për planin urban të Forumit dhe Agorasë së Butrintit. Të pajisur me teknologji bashkëkohore të filmimit nën ujë, me kamera speciale, grupi, i udhëhequr nga Greg Deregovski dhe në prani të drejtorit të Parkut të Butrintit, Rajmond Kola, ia ka dalë të bëjë filmime të fragmenteve më të panjohura të ujësjellësit antik.

Nga laboratori i montazhit të këtyre zhytësve, materialet filmike do të bëhen objekt i studimit të specialistëve të arkeologjisë, për të gjykuar masën e dëmtimit të ujësjellësit të Butrintit, që kalonte përmes ujërave të liqenit. Ujësjellësi antik i Butrintit i përket gjithashtu periudhës romake të jetëshkrimit të qytetit.