Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 11:16

Tiranë: – Ekspozita e fotografit britanik, Martin Parr, u çel pasditen e djeshme në Galerinë Kombëtare të Arteve në praninë e Kryeministrit Sali Berisha, Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, artistëve, etj.

Fotografi Martin Parr ka përmbledhur në këtë ekspozitë fotografi nga tre ciklet “Common Sense 1995/1998″, “Small Ëorld 1989/2007″, si dhe ciklin për Shqipërinë, të titulluar “Shqipëria 1990″.

Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona Mcllëham, gjatë fjalës së saj përshëndetëse, tha se imazhet e sjella nga Parr nga Shqipëria e vitit 90 sjellin një kuptim të plotë të transformimit dramatik të këtij vendi.

“Këto imazhe na japin një pasqyrim të një momenti të veçantë të së kaluarës së Shqipërisë. Ato u japin shqiptarëve një mundësi për të kuptuar rrugëtimin e tyre gjatë 20 viteve të fundit”, tha Ambasadorja Mcllëham.

Gjithashtu ajo shtoi se kjo ekspozitë e Martin Parr janë një kujtesë për thellësinë e marrëdhënieve mes Britanisë dhe Shqipërisë, me rrënjë nga udhëtimet e Bajronit. “Politika është një pjesë e vogël e marrëdhënieve tona, e cila përfshin bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë së ndërsjelltë dhe lidhjet arsimore e kulturore”, tha Fiona Mcllëham.

Ambasadorja e Britanisë kishte zgjedhur këtë ekspozitë për të festuar edhe ditëlindjen e Mbretëreshës Elisabet.

Të pranishëm në ekspozitën e parë personale të Parr në GKA ishin edhe Ambasadori i OSBE-së, Eugen Ëollfarth, Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.

Ekspozita e Martin Parr do të qëndrojë e hapur në GKA deri në 7 gusht.