Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 17:18

Tiranë – Filmi i regjisorit, Edmond Budina, “Ballkan Pazar”, që trajton në mënyrë ironike skandalin e zhvarrimeve në fshatin Kosinë të Përmetit, ka ngjallur së fundi reagimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, e cila e ka cilësuar atë si shpifje ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë.

“Ballkan Pazar” e pati premierën më 14 prill, ndërkohë që letra e Kishës Autoqefale, e zbuluar pak ditë më parë, mban datën 26 maj.

“Ky film është një shpifje e turpshme ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë dhe për pasojë, fyerje e rëndë për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Filmi është në mënyrë ekstreme sarkastik, e duke kaluar çdo cak, i shfaq priftërinjtë si përdhosës varresh, matrapazë eshtrash njerëzore dhe familjet e tyre si imorale”, thuhet në letër.

Regjisori i filmit Budina, në reagimin e tij në një gazetë të përditshme, i ka krahasuar fjalët e klerikëve me ato të komisarëve komunist, ndërkohë që shprehet i kënaqur që ndër 145 firmat e klerikëve nuk ka qenë firma e Hirësisë së Tij, Anastas Janullatos. Kjo sipas Budinës tregon se, ka ditur të distancohet prej faktit që kjo është një vepër arti dhe jo një traktat politik.

“Ju e gjykoni një vepër arti, një film, ashtu sikundër gjykohej në periudhën e regjimit një vepër, propagandë e mirëfilltë”, është shprehur regjisori Budina.

Ky debat në lidhje me filmin “Ballkan Pazar” ka përfshirë disa artistë dhe intelektualë, ndër ta edhe shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili në një intervistë në një gazetë e cilësoi letrën e Kishës Autoqefale si një ndërhyrje të pastër të fesë në punët e kulturës dhe artit.

“Këto ndërhyrje i bëjnë dëm artit dhe zhvillimit të tij, por nga ana tjetër rrisin ndjenjën e zemërimit te artistët për të bërë vepra më të forta akoma”, është shprehur Agolli.

Shkrimtari tha se me kërkesat për ndalimin e kësaj apo asaj vepre arti, njerëzit e fesë janë bërë si Komiteti Qendror i Partisë së Punës, që kontrollonin e ndalonin çdo vepër që nuk u shkonte për mbarë.

Në letrën e Kishës Autoqefale cilësohet si e turpshme mbështetja e këtij filmi nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Në lidhje me këtë, Drejtori i saj, Artan Minarolli është shprehur se duhet të respektohet arti kinematografik, i cili nuk është akt informues, por ka edhe krijimtari artistike.

“Filmi u shfaq për disa javë rresht në rrjetin e kinemave ‘Imperial’ dhe nuk kemi marrë asnjë reagim nga ana e spektatorëve. Për kinemanë është i rëndësishëm spektatori, ndërsa interpretimet qoftë fetare, burokratike apo shtetërore janë të ndryshme”, ka thënë Minarolli në media.

Filmi “Ballkan Pazar” është një prodhim në bashkëpunim me Italinë, ndërkohë që distributori Mediaplex Italia ka marrë përsipër shpërndarjen e filmit në kinematë italiane, që prej datës 8 qershor.

Komedia “Ballkan Pazar” përcjell idenë e shit-blerjeve jo vetëm të eshtrave, por edhe të ndërgjegjeve dhe shpirtrave njerëzorë, një histori absurde që interpetohet nga aktorët: Visar Vishka, Erand Sojli, Artan Islami, Karafil Shena, Valentina Xhezo, Laert Vasili, etj, ndërkohë që vetë regjisori Budina interpreton rolin e një prifti ortodoks. “Ballkan Pazar” pati premirën e parë në Festivalin e 15-të të Filmit në Sofje.