Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 09:49

Tiranë – Dokumente historike, veshje dhe objekte personale të ushtarakëve, fotografi e materiale filmike si dhe gazeta apo revista që dëshmojnë kontributin e SHBA-së në pavarësinë e Kosovës, u prezantuan në ekspozitën e çelur mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Ekspozita “Amerika për Kosovën” kishte si qëllim të ekspozonte një koleksion me vlera për historinë më të re të Kosovës, si një mënyrë mirënjohjeje e Muzeut Kombëtar të Kosovës ndaj Amerikës.

Në çeljen e ekspozitës i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i cili në përshëndetjen e tij, tha se hapja e kësaj ekspozite bëhet në shenjë mirënjohje ndaj rolit dhe kontributit të SHBA-së, vendit të madh të lirisë, në lirinë e shqiptarëve.

“Kombi ynë ka pasur, ndofta pas kombit hebre, historinë më të vështirë e më të dhimbshme, pasi ndaj tij u projektuan doktrinat më çnjerëzore, të cilat, si në kohërat e hershme dhe gjer në kohërat më të vonshme kishin vetëm një synim: zhdukjen e tij mbi bazën e faktit të njohur se historia e njerëzimit është histori e dhimbjes, lulëzimit, por edhe histori e zhdukjes së kombeve”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se ne kemi mbijetuar, sepse gjatë shekullit që shkoi, në të gjitha momentet e vështira, kritike, për të ardhmen e kombit kemi pasur në anën tonë, vendin e madh të lirisë, SHBA-në.

Berisha vlerësoi lart rolin e diasporës shqiptare në SHBA, e cila grupoi rreth çështjes së drejtë të shqiptarëve në Kosovë personalitetet më të shquara të Senatit, Kongresit e mediave amerikane.

Dokumentet dhe të dhënat në lidhje me kontributin e SHBA-së në historinë e Kosovës, datojnë që në vitin 1912 e deri në pavarësinë e saj, ku është përfshirë edhe kontributi i mërgimtarëve në Amerikë.

Ekspozita përmban dokumente dhe të dhëna në lidhje me emrat më të shquar të Amerikës, liderë botërorë që kanë ndihmuar Kosovën si, Presidenti Klinton, Presidenti Bush, Sekretarja e Shtetit, Ollbrajt, ish- Komandanti i Përgjithshëm i NATO-s, Clark, Kongresmeni Eliot Engel, Senatori Bob Dole, Ambasadori Ëilliam Ëalker etj.

Ekspozita u organizua nga Ministria e Diasporës së Kosovës, Muzeu i Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë.