Lajme Shqip Friday, 01 June 2012 19:59

Tetovë – Nobelisti shqiptar Ferid Murad u shpall sot “Doctor Honoris Causa” i Universitetit Shtetëror të Tetovës. Me këtë vendim të Senatit të USHT-së, nobelisti Ferid Murat vlerësohet lartë për punën kërkimore.

“Senati i USHT-së në mbledhjen e mbajtur më 31 maj të vitit 2012 mori këtë vendim. Profesor doktor Ferid Muradit i jepet Titulli ‘Doctor honoris causa’ i Universitetit Shtetëror të Tetovës. Ky titull i jepet për meritat e jashtëzakonshme për krijimin e kushteve në fushën e arsimit dhe shkencës, ruajtjen e vlerave dhe dinjitetit njerëzor për ngritjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor dhe akademik”, tha Vullnet Ameti, prorektor për shkencë i USHT-së. 

Për nobelistin shqiptar Ferid Murad, i cili numëron deri tani 16 tituj “Doctor Honoris Causa”, titulli i sotëm do të zërë një vend të veçantë, pasi i jepet nga universitetit shqiptar i Tetovës.

“Të marrësh këtë titull nderi nga i vetmi universitet shtetëror shqiptar  që ndodhet kaq afër vendlindjes së babait tim Llakavicës është gjë e veçantë për mua! Unë e dua kërkimin shkencor, mësimin dhe kujdesin për pacientin dhe kam dhënë maksimumin tim për të bërë të mundshme këto gjera, dhe mendoj se shumë njerëz nuk kënaqen me punën si kënaqem unë, dhe diçka, nuk e kam në plan të dalë në pension, do punojë gjithmonë. Shpresoj që të ndihmoj edhe këtë universitet, Universitetin Shtetëror të Tetovës që Maqedonia t’i ketë këto gjëra në të ardhmen”, tha prof.dr.Ferid Murad.

Paraprakisht nobelisti Ferid Murad është takuar edhe me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa, i cili i ka dhuruar ikonën e nobelistes tjetër shqiptare Nënë Tereza. “Është kënaqësi që nobelistit tonë t’i dhurojmë këtë skulpturë që simbolizon nobelisten tjetër, e që reflekton një unitet shpirtëror të vlerave për çka ne si shqiptarë jemi krenarë”, tha Ylber Hysa, ambasador i Kosovës në Maqedoni. Në këtë manifestim, përveç figurave politike nga Maqedonia, morën pjesë edhe përfaqësues universitetesh nga të gjitha trojet shqiptare. (LajmeShqip.com)