Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 09:02

Prishtinë – Festivali tradicional i komedisë që zhvillohet për të tretin vit radhazi në qytetin e Mitrovicës, në Kosovë, nderoi të dielën, me çmimin e parë komedinë “Lulja e Kaktusit” e vënë në skenë nga trupa e teatrit “Petro Marko” të qytetit të Vlorës.

Juria profesioniste e këtij festivali vlerësoi me çmimin e parë komedinë “Lulja e Kaktusit”, e shkruar nga Jean-Pierre Gredy dhe Pierre Barrillet dhe me regji të Roland Mingës.

Çmimin e vendit të dytë e fitoi teatri Metropolit nga Tirana, me komedinë “Më e vërtetë se e vërteta”, të autorit Martial Courcier dhe në regji të Rozi Kostani.

Ndërsa, fitues i çmimit për vendin e tretë është teatri “Hasan Prishtina” nga Vushtrria me komedinë “Mirëmëngjesi Interes”, të autorit Kristo Floqi.

Trupa e Teatrit të Vlorës është fitues edhe i dy çmimeve të tjera: Për rolin më të mirë të aktores femër në festival, juria shpërbleu Desantila Kriston, ndërsa Astrit Mamajn për rolin më të mirë të aktorit mashkull.

Dy fituesit e tjerë ishin nga Teatri i Vushtrrisë: Për rolin premtues të aktores femër, Gloriesa Dobra dhe për rolin premtues të aktorit mashkull, Mehmet Selaci.

Regjisori i Teatrit “Petro Marko”, të Vlorës, Roland Minga, tha se është i kënaqur që trupa e tij pati paraqitje dinjitoze dhe profesionale. “Është hera e parë që i morëm të gjitha çmimet kryesore. Kishim shumë emocione për Mitrovicën. Mikëpritja dhe shikuesit që na mbështetën si asnjëherë më parë, na bënë të ndihemi mirë dhe të japim maksimumin”, tha ai.

Festivali është organizuar nga Teatri i Qytetit të Mitrovicës, mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës.